Administrata Trump “braktis” Sali Berishën, DASH hesht për “non-gratën” dhe refuzon të japë sqarime mbi akuzat e…

Pas një optimizmi nga ana e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe mbështetësve të tij se rikthimi i Donald Trump në pushtet do të sillte edhe një përmbysje të vendimit për “non gratën”, realiteti duket shumë më i ftohtë dhe i heshtur të paktën nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit. Rrjeti amerikan “Fox Neës”, tradicionalisht në linjë me republikanët dhe shpeshherë kritik ndaj politikave të administratës Biden, i ka kushtuar një artikull më 11 maj çështjes së “non gratës” së Sali Berishës.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë, “Fox News” ka konfirmuar se i është drejtuar vetë Departamentit të Shtetit për të marrë një koment apo sqarim mbi këtë rast, por është përballur me atë që në diplomaci përkthehet zakonisht si: heshtje protokollare. Sipas shkrimit, DASH ka refuzuar të komentojë mbi pretendimet që Berisha ka artikuluar në lidhje me arsyet e vendimit për ta shpallur atë person të padëshiruar. Këto pretendime, që ai i ka përsëritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë muajve të fundit, përfshijnë akuza të drejtpërdrejta ndaj figurave të njohura ndërkombëtare si George Soros, si dhe ndaj kryeministrit shqiptar Edi Rama, të cilët, sipas tij, kanë lobuar për të ndikuar në këtë vendim.
Çfarë shkruan Fox News?
“Berisha pretendon se sanksionet ndaj tij ishin “të bazuara tërësisht në lobimet” e George Soros dhe Ramës. Ai tha gjithashtu se anëtarët e administratës së Biden “e kthyen Ambasadën e SHBA në Tiranë në një zyrë të madhe prokurorie”, duke u kërkuar mbështetësve, gazetarëve dhe njerëzve të biznesit të ndalonin mbështetjen ndaj Berishës dhe partisë së tij dhe se Departamenti i Shtetit “u kërkoi vendeve të tjera të më sanksiononin dhe të më izolonin mua”.
Berisha tha se sanksionet e kanë penguar fushatën e tij: “Sigurisht që më dhemb, sepse nuk jam në gjendje të takohem me shqiptarët e Amerikës, të cilët janë kaq të shumtë dhe në këto zgjedhje, për herë të parë kanë të drejtë të votojnë partinë dhe kandidatin që preferojnë në vendin e origjinës”. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se ata nuk kishin asnjë koment në lidhje me pretendimet e Berishës se entitetet amerikane i kthyen mbështetësit kundër tij. Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj pyetjeve të “Fox News Digital” nëse sanksionet ndaj Berishës duhen mbajtur në fuqi dhe nëse ato pengojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri”, shkruan rrjeti amerikan.
Avokat Beqiri: Berisha nuk ka asnjë shans të heqë non gratën
Nga ana tjetër, avokati Idajet Beqiri deklaroi dje në një emision televiziv se Sali Berisha nuk ka asnjë shans që t’i hiqet “non grata” në SHBA, edhe pse në kuadër të fushatës së tij elektorale ka përfshirë persona me të kaluar të errët, si Paul Manafort, i dënuar për mashtrim dhe i lidhur me oligarkë rusë. Beqiri u shpreh se rasti i Berishës është krejtësisht ndryshe nga ai i shefit të kabinetit të Viktor Orban në Hungari, pasi për Berishën, “non grata” është vendosur për korrupsion të rëndë shtetëror, ndaj dhe nuk ka asnjë mundësi të anulohet. Ai akuzoi konsulentët Chris LaCivita dhe Paul Manafort për përfshirje në një rrjet pastrimi parash që arrin deri në 70 milionë dollarë. Sipas tij, është urgjente që të bëhet publike kontrata e firmosur me PD-në, për të kuptuar burimin dhe përdorimin e këtyre fondeve.
“Nuk ndodh kurrë që t’i hiqet ‘non grata’ Sali Berishës. Sepse kur ata në SHBA vendosën ‘non gratën’ për Berishën dhe familjen e tij, morën parasysh korrupsionin madhor”, u shpreh Beqiri. Ai theksoi se do të ketë kallëzim penal edhe në SHBA, veçanërisht për LaCivita, për të cilin tha se është “bërë qesharak” dhe duhet të zbardhë kontratën me PD-në. “LaCivita është bërë qesharak dhe për lekë ai vret edhe babanë e vet. Ato lekë nuk do i gëzojë, sepse janë të paligjshme. Ai duhet ta zbardhë si i merr paratë, ku i merr, sa ka marrë.” Beqiri përmendi shifra të kontratës, duke deklaruar se LaCivita ka marrë 15 milionë dollarë, ndërsa Manafort 20 milionë, dhe se pjesa tjetër shkon në shpenzime të errëta, që kërkojnë hetim.
Sipas tij, kjo situatë duhet të ngrejë alarmin edhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka detyrim të kërkojë transparencë financiare, pasi ka një mospërputhje të thellë me fondet publike që u jepen partive në zgjedhje. “KQZ ka dhënë vetëm 1 milion dollarë për fushatën e partive, ndërsa këta kanë 70 milionë. Ku i gjetën këto para?” Beqiri përfundoi duke paralajmëruar se do hapet një proces penal në SHBA, si pasojë e këtyre zhvillimeve dhe se nuk ka asnjë mundësi që “non grata” ndaj Berishës të hiqet, duke pasur parasysh akuzat serioze për korrupsion dhe bashkëpunim me figura të dënuara ndërkombëtarisht.