Nga Julia Vrapi
“Gjenerata e imazheve” eksploron transformimet e thella në historinë e Shqipërisë nga diktatura komuniste në realitetin e sotëm. Një film nga regjisori austriak Johannes Gierlinger, që nesër do të shfaqet në Arkivin Qëndror Shtetërorë të Filmit në Tiranë. Filmi u shfaq më parë edhe në ish vilën e diktatorit me mbështetjen e ambasadës Austriake në kuadër të festivalit “Art Explora”, por do të jetë për publikun edhe në AQSHF. Përmes arkivave, vendeve të harruara dhe kujtimeve ndër breza, filmi dokumentar prodhuar në 2025 sjell në fokus këputjet dhe vazhdimësitë që kanë formësuar shoqërinë shqiptare. Në materialin nga arkivi, thuhet se projekti “Gjenerata e imazheve” trajton historinë e Shqipërisë nën regjimin e Enver Hoxhës e deri në kalimin e nga diktatura në demokraci.
“Kjo tregohet përmes historive personale të brezave të ndryshëm, nga më të moshuarit tek shumë të rinjtë, nga njerëzit që kanë jetuar në këtë periudhë e deri tek njerëzit që shohin vetëm gjurmët e së shkuarës. Kujtimet nga kohët e shkuara, idetë për të ardhmen e një vendi dhe përfytyrimet për diktatorin shkrihen me lëndën arkivore. Një reflektim eseistik mbi Shqipërinë, kujtesën dhe shpërnguljen, historiografinë kolektive të vendit dhe pyetjen se si mund të duket e ardhmja”, thuhet rreth filmit dokumentar. “Gjeneratat e imazheve” vijon materiali, nisin kërkimin e gjurmëve përmes proceseve të thella transformuese të historisë shqiptare. Në arkiva, vende të harruara dhe kujtime të brezave të ndryshëm, bëhen të dukshme këputjet dhe vazhdimësitë, të lëna pas kalimit nga diktatura komuniste në demokracinë kapitaliste.
Filmi gjen gjuhën e vet për të analizuar imazhet e regjimit dhe regjimet e imazheve
Filmi dokumentar nga regjisori Johannes Gierlinger gjen gjuhën e vet për të analizuar imazhet e regjimit dhe regjimet e imazheve. Materiali rreth dokumentarit vijon se “Gjenerata imazheve” është gjuha e poezisë që hedh poshtë logjikën dhe linearitetin e historiografisë konvencionale, lejon kontradiktat dhe shprehet si mendim ashtu edhe si veprim. “Bën të mundur jo vetëm shikimin e imazheve, por lënien e tyre të flasin vetë, të gjejnë kuptime të reja dhe të krijojnë rrëfime themelore. Në këtë mënyrë, brezat e imazheve formojnë një tablo shumështresore dhe polifonike të historisë, e cila shpesh tregon më pak për të kaluarën sesa për një marrëdhënie ambivalente me të dhe tregon se sa thellë janë gdhendur gjurmët e historisë në strukturën e së tashmes”, shprehet për dokumentarin.
Për këtë dokumentar asistente e kërkimit shkencor është Mira Klug, Eros Dibra; menaxher produksioni Lara Bellon. Zëri Mira Klug, Jan Zischka, përkthimi Sara Kraja, përshtatja në anglisht Thomas Logoreci, përshtatja në gjermanisht Anjeza Cikopano, performanca muzikore Benjman Klug e Gookan Arslan, kompozitor Johannes Gierlinger, ngjyrat Mira Klug, miksazhi audio Florian Kindlinger. Producent Johannes Gierlinger dhe Lara Bellon. Mbështetur nga Bmkoes, Land Salzburg, Cine Art Styria, Stadt Wien. Filmi dokumentar nga Johannes Gierlinger është shfaqur më parë edhe në qytete të tjera të vendit, ku më pas ka vijuar edhe një bisedë me regjisorin dhe artisten shqiptare Redina Qose.
“Gjenerata e imazheve”, historia e Shqipërisë nën regjimin e Enver Hoxhës e deri në kalimin nga diktatura në demokraci
