‘PD në rrugë të gabuar’, Hasimja: Humbi shansin për të fituar besueshmëri para elektoratit

Politologu Ermal Hasimja komentoi sot situatën në të cilën ndodhet Partia Demokratike, si partia më e madhe opozitare në vend.
Në një dalje televizive, Hasimja u shpreh se nga ana strategjike, PD është në rrugën e gabuar pas bashkimit me mazhorancën për Reformën Zgjedhore.
Hasimja foli edhe mbi drejtimin aktual të PD-së nga Sali Berisha, për të cilin tha se është i mbështetur, teksa shtoi se ata që janë kundër tij nuk i kanë gjetur ende një zëvendësues.
“PD-ja humbi një shans shumë të mirë për të fituar besueshmëri para elektoratit duke u bashkuar me mazhorancën dhe me Ramën për të bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor, të cilat synonin zhdukjen e partive të vogla.
Nga njëra anë PD-ja ofrohet si qendër gravitacioni për bashkimin e opozitës, ndërkohë nga ana tjetër sillet ndryshe, dhe kjo është problem i madh për këtë parti. Do të kishte fituar shumë pikë partneriteti nëse do të mbante një qëndrim parimor, jo thjesht të mbronte partitë e vogla që përfaqësojnë 150 mijë vota, por mbi të gjitha të provonte para elektoratit shqiptar se ka integritet dhe moral politik.
Pra është duke dobësuar paradoksalisht edhe vetveten. Nga pikëpamja strategjike, cilido që e ka këshilluar PD-në në këtë rrugë, mendoj se ka menduar gabim.
Çështja është kjo: a jemi në gjendje si shoqëri dhe opozitë të prodhojmë një kandidat që të arrijë të marrë votat e partive të opozitës dhe të elektoratit gri? PD në këto momente e ka shumë të vështirë të garantojë edhe 100% të votave të veta, jo më të marrë votat e të pavendosurve.
Nga pikëpamja e legjitimitetit kjo është e drejta e vetë partisë. Ne mund të japim vetëm mendime apo sugjerime, por nuk kanë asnjë lloj vlere. Për aq kohë sa Sali Berisha vazhdon dhe qëndron ende aty, kjo do të thotë se ka mbështetje të fortë. Ata që nuk janë dakord me z. Berisha nuk janë shumicë dhe nuk janë në gjendje ta zëvendësojnë me dikë tjetër”,-tha Hasimja.