Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi ka dorëzuar një Notë-Verbale Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë.
Në shkresën zyrtare, Bardhi ka informuar Komisionin Europian dhe Parlamentin Europian lidhur me deklaratat e Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, të cilat ajo i ka quajtur si të lira dhe të ndershme gjatë një konference për shtyp në datën 21 nëntor në Tiranë.
Kos, gjatë deklaratës së datën 21 nëntor tha: “Zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme. Është gjithmonë mirë kur marrim sugjerime për përmirësime, dhe kjo është një gjë e mirë për Shqipërinë dhe Bashkimin Evropian. Ne shprehim me respekt shqetësimin tonë se ky vlerësim nuk reflekton realitetin e vërejtur gjatë procesit zgjedhor. Deklarata e tillë duket e papërputhshme me gjetjet e OSBE-ODIHR, nuk merr parasysh vëzhgimet e eurodeputetëve dhe rrezikon të ndikojë besimin e qytetarëve shqiptarë tek institucionet e Bashkimit Evropian”. Ky citim, është evidentuar në Notën-Verbale të Partisë Demokratike.
Në dokument, Bardhi citon gjithashtu edhe raportin final të OSBE-ODIHR dhe kujton mbledhjen e Komitetit për Çështjet e Jashtme, AFET, të Parlamentit Evropian më 4 qershor 2025, ku eurodeputeti Michael Gahler, kryetar i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve në Shqipëri, evidentoi “strukturat kriminale të ngulitura në Shqipëri që kanë interes të ruajnë pushtetin politik për të vazhduar aktivitetet e pastrimit të parave dhe trafikut të drogës”.
Sipas opozitës, gjetjet e OSBE-ODIHR nuk mbështesin përfundimin se zgjedhjet ishin “të lira dhe të ndershme”, pasi ndershmëria dhe liria kërkojnë garë të barabartë për të gjithë kandidatë, mungesë presioni mbi qytetarët dhe respektim të plotë të kritereve të Kopenhagenit.
Nota-Verbale përfundon duke kërkuar që deklaratat e ardhshme të jenë në përputhje me gjetjet faktike të institucioneve përgjegjëse për vëzhgimin e zgjedhjeve, duke theksuar se interpretimet personale mund të dëmtojnë besimin publik tek vlerat evropiane që institucionet e BE-së synojnë të mbrojnë./vizionplus.tv
