Bushati dyshon se pas trimërimit të SPAK dhe goditjes së Ballukut, qëndrojnë amerikanët

Gazetari Andi Bushati, duke folur për dosjen Balluku, është shprehur se është hera e parë që kemi hetime për një tender i cili është i lidhur direkt me Edi Ramën.
‘Unë s’di t’i përgjigjem me po apo jo që Rama akoma, apo ka hyrë dhe një faktor tjetër, por ama, rasti Balluku, që është dhe aktualiteti për të cilin jemi këtu këto ditë, ka treguar ose ka dhënë shenja, jo përfundimtare, që duket sikur Ramës i është thyer pak mekanizmi.
Në ç’kuptim Ramës i është thyer mekanizmi? Deri tani, çfarë kemi pasur? Kemi pasur Ahmetaj që thotë vetë ai për pllakat e grave të mia. Beqja për fatura restoranti, Ter Koka për paratë që i ka çuar çunit në bankë, Erjon Veliaj për fustanet e Ajolës.
Është hera e parë që kemi një hetim për një tender me të cilin është i lidhur direkt Edi Rama. Tuneli i Llogarasë nuk janë as fustanet e Ajolës, as pllakat e Arben Ahmetajt. Pra, këtu kemi një thyerje nga viza, nga vija pesëvjeçare e SPAK-ut.’
Gjatë bisedës, Bushati theksoi se ‘çfarë ka të re tjetër? Po të shohësh, jo në kohën e SPAK-ut, po që kur prokuroria është marrë me socialistin e parë të pushtetit të Ramës, Shpëtim Gjikën. Rama ka pasur një devizë, i cili thoshte: ‘Ne, qeveria dhe partia nuk janë strehë për ata që do drejtësia’. Çfarë po ndodh për herë të parë me rastin Balluku? Qeveria dhe partia po bëhen strehë me atë që do drejtësia. Dhe këtu kemi një thyerje.’
‘Dhe fakti që për herë të parë po ndodhin disa gjëra që ne kritikët, për ne kritikët e SPAK-ut, janë të reja, na bën të shtron pyetjen, a është futur në lojë një faktor i ri? Dhe këtu dalim, a mund të jenë amerikanët, a mund të jenë, po ja fus kot unë se këto janë hipoteza tani, një grup kriminal i pakënaqur ndaj Ramës që me lekët e veta po i kundërvihet pushtetit të Ramës.
Nuk e di dhe nuk dua të spekuloj, – tha Bushati duke shtuar se, – fakti është që diçka e re ka ndodhur. Mendja ta do gjithmonë amerikanët. Por edhe po t’i shkojmë deri në fund hipotezës që, a janë amerikanët pas kësaj trimërimi të SPAK-ut? Pra, një prokuror të kapur nga topet deri tani nga Rama, mos e kanë shtrënguar më fort te topet ca gringo të tjerë dhe ai është trimëruar dhe të shkojë në zemër të pushtetit të Ramës? Është pyetja.’
Ai më pas shtoi dhe kundërargumentin: ‘Por kundërargumenti i kësaj, se njeriu e vret mendjen kur s’ka fakte, kush do ishte? Nga sa na kanë mësuar ne amerikanët këto 30 vite në Shqipëri, gjithmonë kur ka pasur goditje të tilla, ka pasur dhe mesazhe politike. Pra e mbani mend çfarë të them unë ty. Dihej që amerikanët donin të goditej Beqja. Po këtë përveçse me mashat që kanë drejtësinë tonë, e jepnin dhe me mesazhe politike.
Donin që të goditej Saimir Tahiri, po i çonin njerëzit gjithmonë në gjyq Saimir Tahirit. Pra që ne po ta mbikëqyrim. Në këtë rast, në qoftë se amerikanët janë pas goditjes së Ballukut, kjo nuk ka vajtur sinkron me qëndrime diplomatike që për shembull, përshëndesin luftën e SPAK-ut për korrupsionin, për tunelin. Pra, këtu duket sikur kemi gjysëm amerikanë. Nuk duket sikur kemi, po të jenë amerikanët, një qëndrim të përvijuar që tani ne jemi pas këtij aksioni dhe ky aksion do vazhdojë.’