“Situata ishte vërtetë e çuditshme”, Topi rrëfen se si ia rrethoi Berisha banesën pas 21 Janarit

Ish-presidenti Bamir Topi, i ftuar në emisonin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, duke folur për zhvillimet që pasuan ngjarjen e rëndë të 21 janarit 2011, u ndal te rrethimi i banesës së tij te “Kodra e Priftit” nga forcat e sigurisë. Ai u shpreh se ndryshe ga më parë, u shtuan rojet, por edhe kontrollet dhe shënimi i gjithçkaje që hynte apo dilte nga rezidenca familjare e tij
Biseda
Ylli Rakipi: Keni deklaruar se Berisha ju rrethoi banesën. Çfarë ndodhi konkretisht?
Bamir Topi: Njeriu e ka shumë të thjeshtë një ndryshim që ndodh. Njeriu kur ka vite që është president sa njerëz shërbejnë, si shërbejnë. Aty filloi një ndryshim drastik. Unë kam banuar gjithmonë në banesën time private, jo në rezidencën shtetërore. Fatmirësisht deri më sot, nuk kam vuajtur nga ndonjë dozë paranoje, por po ju jap një situatë reale. Situata reale ishte vërtetë e çuditshme: një rritje e numrit që shërbenin aty dhe mënyra e sjelljes, me kontrolle, shënimi i gjithçkaje, gjëra që nuk kishin ndodhur më parë, me një diferencë në mënyrën e sjelljes së tyre.
Ylli Rakipi: Po bënin sikur të ruanin ty më shumë se ç’duhej?
Bamir Topi: Unë personalisht nuk e kisha problem se isha natyrë sportive, por krijuan një klimë të panevojshme.
Ylli Rakipi: Sa kohë qëndroi rrethimi i shtëpisë?
Bamir Topi: Nuk mund ta them ekzaktësisht, por vazhdoi, por për mua nuk kishte problem. Jashtë mureve të shtëpisë ishin.