Rreth dy muaj pasi fitoi garën për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, sot, në orën 10:00, gjyqtari Asim Vokshi do të bëjë betimin në Presidencë si anëtari i ri i kësaj gjykate. Ai do të zëvendësojë Holta Zaçajn, mandati i së cilës ka mbaruar që në muajin prill.
Gjykata e Lartë shpalli fitues Asim Vokshin për zëvendësimin e Zaçajt, por rezultati u kundërshtua nga kandidatja tjetër Naureda Llagami. Ajo pretendoi në Gjykatë Administrative dhe më pas në Kushtetuese, që një votë e shpallur e pavlefshme, i takonte asaj, e rrjedhimisht e bënte atë gjyqtare kushtetuese.
Por Kushtetuesja ia rrëzoi kërkesën dhe pas kësaj, presidenca caktoi datën e betimit të Vokshit. Betimi i tij largon nga Kushtetuesja Zaçajn, e cila mban edhe detyrën e kryetares së këtij institucioni. Ikja e saj do të bëjë që gjykata të zgjedhë edhe një kryetar të ri, teksa përkohësisht drejtohet nga nënkryetarja Marsida Xhaferllari.
Presidenti i Republikës që në fillim të këtij muaji, ka hapur thirrjen për kandidatë që do të zëvendësojnë Sonila Bejten, një tjetër gjyqtare që është në proces largimi, thirrje e cila është e hapur deri në 30 nëntor.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka më shumë se një vit që ka një gjyqtar kushtetues mangët. Elsa Toska u dorëhoq në shtatorin e vitit 2024, por prej asaj kohe, përplasjet institucionale kanë penguar zëvendësimin e saj.
Gjykata Kushtetuese/ Asim Vokshi, betohet sot në Presidencë si anëtari i ri
