Koncerti recital i kompozitorit Nestor Kraja

Në datën 15 nëntor në Sallën e Madhe të Universitetit të Arteve u mbajt një koncert me veprat e kompozitorit Nestor Kraja. Ai kishte përzgjedhur këtë mbrëmje disa nga veprat e tij të cilat, sipas intervistës me autorin kërkonin “të tregonin karakteristikat e stilit kompozicional, por dhe  përthyerjet në kohë të ndryshme”, duke nisur në fillimet e viteve 90′. Ato shpalosën një gamë të gjerë gjinish muzikore, që nga romanca vokale, kuarteti apo kuinteti i harqeve e deri tek Poema Simfonike për orkestër e shkruar kohët e fundit. Në koncert morën pjesë disa nga artistët e njohur të skenës shqiptare si Lorenc Radovani, Gëzim Belegu, Klejda Tare, Nina Muho Silvana Skënderi, Gridi Kraja etj.
Pjesëmarrja e orkestrës Simfonike të Radio-Televizionit mbylli koncertin me lojën dhe mjeshtërinë e saj, e përcjellë nga duartrokitje të gjata të spektatorëve. Duke shfletuar titujt e veprave të përzgjedhura, por dhe idetë që ato transmetuan në sallë vërejmë një sërë tematikash, që shkojnë nga ato rinoret me temën e dashurisë (kujtimi i dashurisë së humbur- romanca Plepi), temën e përpjekjes ekzistenciale që shpaloste Kuinteti me Flaut i shkruar në vitin 1997, gjendja emocionale që shkaktojnë në çdo rast enigmat që ndeshim përpara (si tema bazë e pjesës për piano solo me titullin “Enigma”), si dhe deri tek tematika apo idetë universale të Poemës Simfonike “Laokonti”. Sipas prezantimit në sallë kjo vepër mbështetet mbi mitin e lashtë të priftit Laokont, të cilit perëndesha Era, e cila mbështeste ushtrinë greke i dërgoi dy gjarpërinj për të mos treguar mashtrimin e Kalit të Trojës. Pra, Laokonti u përpoq të zbulojë mashtrimin e grekëve, ndërkohë që perënditë kishin vendosur shkatërrimin e Trojës. Ide këto të mëdha aq sa vjetërsia e tyre shkaktuan gjendje të forta emocionale në sallë. Përmes tyre kompozitori shpalosi një nga karakteristikat e krijimtarisë së tij: Kërkesën për të komunikuar hapur dhe me tematika të mprehta e aktuale me publikun.
Siç ai shprehet në intervistë: “arti muzikor në thelbin e tij ka komunikimin e ideve të mëdha apo të vogla, por që ngjallin gjendje të forta emocionale tek dëgjuesit. Drejtimet e tjera artistike janë muzikë dëfryese e largët për mendimin apo inteligjencën njerëzore. Në të gjitha arritjet e saj madhore muzika ka rrezatuar pikërisht mjeshtërinë dhe inteligjencën e ndërthurjes së tingujve për të përhapur ide të mëdha të jetësore”. Kjo vepër është vepra e tretë simfonike e Krajës shkruar katër vitet e fundit dhe të ekzekutuara nga Orkestra Simfonike e RTSH-së, të cilat kanë lënë mbresë tek artdashësit dhe në radhët e profesionistëve muzikës. E para, e titulluar “Vallja e Shtrigave” (2022) është një Kapriç Simfonik tepër miklues përsa i përket materialeve të saj tematike dhe artikulon idetë e një shthurjeje të shumfishtë që autori ndjen në jetën aktuale të vendit. E dyta, poema simfonike “Imazhe digjitale” (2023) pasqyron përplasjen midis të bukurës (tema e dytë) dhe  falsitetit dhe aparencës, që shfaqet në jetën e përditshme si një përplasje e dy filozofive që ballafaqohen kudo në jetën e përditshme.  Kështu, kompozitori Nestor Kraja shfaqet si një krijues që rrok tema aktuale me dimensione njerëzore e jetësore.