Një 22-vjeçar shqiptar, me qëndrim ilegal në Itali por i papunë, është kapur nga oficerët e policisë në Piacenza, nën akuzën e trafikut të drogës.
Efektivët u veshën civilë dhe ndoqën të riun për disa ditë, pas dyshimeve se ai shpërndante kokainë duke ua dërguar klientëve “derë më derë”.
Aksioni u krye në “Via Pallastrelli”, por shqiptari kishte ngritur biznesin fitimprurës duke shpërndarë mall në komunat fqinje të Gossolengo dhe Podenzano. Duke drejtuar një “Fiat Panda” me qira, do të takonte blerësit e drogës që kishin kërkuar kokainë, duke e çuar atë direkt në destinacionin e tyre.
Droga ishte fshehur brenda disa kanaçeve metalike të vogla me aroma të ndryshme, kurse dozat ishin futur sipas peshave, në mënyrë që t’i shërbenin shpejt klientit.
Pas vëzhgimit të kujdesshëm, policia ndërhyri të shtunën në mëngjes pasi ishte dëshmitare e një pazari droge, duke arrestuar si një shtetas italian që kishte blerë dy doza kokaine, ashtu edhe trafikantin shqiptar.
Tregtari u kontrollua dhe u gjet në posedim të një totali prej gati 26 gramësh kokainë, të ndarë tashmë në 43 doza të tjera, si dhe para të gatshme në prerje të ndryshme, informon media italiane.
Shqiptari nuk kishte precedentë penalë, por me një proces të shpejtë gjyqësor pas arrestimit, iu revokua leja e qëndrimit dhe u dënua me dëbim të menjëhershëm nga Italia, teksa agjentët e Zyrës së Imigracionit e shoqëruan në Aeroportin e Malpensës, duke e kthyer drejt Tiranës.
Dërgonte dozat e kokainës derë më derë/ Arrestohet trafikanti shqiptar
