Shkodra u mbush me muzikë dhe emocione këtë fundjavë, kur sopranoja e njohur ndërkombëtarisht, Inva Mula, dhe pianisti Genc Tukiçi interpretuan koncertin “Voyage” në Teatrin “Migjeni”. Publiku reagoi me duartrokitje të gjata, duke u ngritur në këmbë për të përshëndetur performancën e dy artistëve shqiptarë që kanë shkëlqyer në skenat më prestigjioze botërore.Në koncert ishin të pranishëm Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, si dhe shumë personalitete të jetës kulturore dhe artistike.Repertori i mbrëmjes kombinonte elegancën e muzikës franceze me ritmet dhe himnet shkodrane, duke krijuar një udhëtim unik muzikor që lidhte Paris-in me Shkodrën. Orkestra Simfonike e Shkodrës dhe Kori Polifonik “Prenk Jakova”, nën drejtimin e mjeshtres Elda Laro, ofruan një performancë të harmonizuar dhe emocionuese, e cila përforcoi statusin e Shkodrës si qendër e gjallë e artit.Të ftuar të veçantë në mbrëmje ishin edhe Isabele Eve Poro dhe këngëtari Glerdit Turmetaj.Pas koncertit, Inva Mula u shpreh për mundësinë e krijimit të projekteve të reja artistike në qytet:“Do të doja të jepja një kontribut ashtu siç e jap në festivalin që kam krijuar në Korçë prej 9 vitesh. Pse jo të krijojmë një festival edhe në Shkodër.”Ndërsa Genc Tukiçi shtoi:“Të bësh koncert përditë në Shkodër është pak, kaq i mirë dhe kaq energji ka kjo sallë.”“Voyage” la pas një emocion të paharrueshëm për të gjithë artdashësit, duke konfirmuar edhe një herë Shkodrën si një pikë referimi për artin dhe kulturën në Shqipëri.
Shkodër/ Inva Mula dhe Genc Tukiçi magjepsin publikun me udhëtimin muzikor
