Nga 24 deri më 30 nëntor 2025, Kosova do të jetë mikpritëse e edicionit të dhjetë të “Javës së Kuzhinës Italiane në Botë” (SCIM 2025), me temën “Kuzhina italiane mes shëndetit, kulturës dhe inovacionit”, organizuar nga Ambasada e Italisë në Prishtinë në bashkëpunim me Agjencinë ICE në Tiranë.Ky edicion synon të nxjerrë në pah mënyrat e ndryshme të qasjes ndaj kuzhinës italiane, duke theksuar rolin e saj si model ushqyerjeje të shëndetshme, të ekuilibruar dhe të qëndrueshme, si dhe dimensionin e inovacionit dhe kërkimit që e karakterizon.Pika më e veçantë e SCIM 2025 do të jetë pjesëmarrja e shefit Emin Haziri, italo-kosovar dhe i nderuar së fundmi me yllin e tij të parë Michelin në restorantin Procaccini në Milano. Historia e tij personale, nga fëmijëria e kaluar në Kosovë gjatë viteve të luftës deri në suksesin ndërkombëtar, e bën Hazirin simbol të lidhjeve mes Italisë dhe Kosovës.Ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, u shpreh:“Ky edicion i dhjetë i SCIM tregon se kuzhina italiane është një trashëgimi në evolucion të vazhdueshëm: një dialog mes kreativitetit, mirëqenies, kërkimit dhe cilësisë, që bashkon territore, histori dhe njerëz. Rikthimi i Emin Hazirit në Kosovë mishëron lidhjet e thella të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.”Më 27 nëntor, shefi Haziri do të përgatitë një meny ekskluzive për darkën gala, e cila do të zhvillohet me ftesa të limituara dhe do të shoqërohet nga verëra italiane të përzgjedhura nga Cantina Le Macchie, në bashkëpunim me Shoqatën Italiane të Somelierëve (AIS) – Klubi Albania.Gjatë gjithë javës, Ambasada do të presë në Kosovë profesorë dhe nxënës nga Instituti i Arsimit të Lartë “Vergani Navarra” i Ferrarës, duke ofruar një program të pasur me përvoja kulinare dhe trajnime. Aktivitetet do të fillojnë më 25 nëntor me një ligjëratë mbi Mjekësinë Kulinare, mbajtur nga profesori Tommaso Centrella, ndërsa më 26 nëntor, shefi Haziri së bashku me profesorët dhe studentët do të zhvillojnë një masterclass për profesionistë të gastronomisë.Ky edicion i SCIM 2025 është një mundësi unike për të promovuar kulturën, shëndetin dhe inovacionin e kuzhinës italiane në Kosovë, duke rikthyer vëmendjen edhe tek trashëgimia dhe lidhjet kulturore mes dy vendeve.
Kosova pret edicionin e dhjetë të “Javës së Kuzhinës Italiane në Botë”
