Minatori Kastriot Prenga kërkoi që kjo qeveri të largohet njëherë e mirë, pasi vetëm sa i ka mjeruar qytetarët e saj.
Teksa ka sjellë në vëmendje se si ai dhe 70 shokët e tij u shkarkuan me ‘një të rënë të lapsi’ nga kompania në minierën e Spaçit në Mirditë, Prenga thotë se tanimë ato kanë mbetur pa të ardhura në familje, pasi ishin të vetmit që i siguronin ato.
Lexo edhe:Parullat pikante: ‘Nëse vjedh një bukë, të fusin në qeli, nëse vjedh një popull, të japin ministri’Për shkak të përkeqësimit edhe të kushteve atmosferike, Prenga tha se është koha për të thënë ‘mjaft’ dhe për të shporrur këtë qeveri, pasi askush nuk mund të bëjë pazare në kurriz të familjen e fëmijëve të tij.
Unë jam Kastriot Prenga, nga Mirdita. Baba i 3 fëmijëve, dhe që prej disa vitesh punoj si minator në Minierën e Spaçit. Besoj se pak janë në këtë vend që nuk kanë dëgjuar për këtë minierë, ku në kohën e diktaturës kanë humbur jetën jo pak njerëz.
Dhe sot e kësaj dite, kushtet në minierë nuk kanë ndryshuar shumë nga atëherë. Kompania shet bakrin e nëntokës tonë, por nuk do t’ia dijë për ata që e nxjerrin atë. Jemi njerëz të varfër që halli na ka detyruar të punojmë për atë rrogë që as e tillë s’mund të quhet.
Por prej gati një muaji, dhe atë pak lëmoshë që na jepnin duke hyrë dhjetëra metra nën tokë, nuk e kam më. Kjo sepse guxuam të kërkojmë të drejtën tonë! Kërkuam pagë më dinjitoze dhe kushte më të mira pune. Ne nuk jemi skllevër që të trajtohemi si të tillë.
Unë jam një prej atyre 70 minatorëve që kompania i hoqi me të rënë të lapsit vetëm se guxuam të kërkonim një jetë më të mirë për fëmijët tanë.
U ankuam në shtet, por ministrja bënte sikur nuk dëgjonte.
Njerëzit që dërgoi nga Inspektorati i Punës për të negociuar, në vend që të ndalonin aty tek dera e minierës, shkuan tek zyrat e administratës. I pritëm gjashtë orë në shi dhe në erë, dhe kur dolën na thanë: “Ndërprisni grevën, do ngeleni pa bukë, me çfarë do i ushqeni fëmijët tuaj?”. Unë po u them atyre zotërinjve: lërini karriget dhe pushtetin jo një ditë, por një orë, dhe provoni të punoni në vendin tonë. Besoj se nuk do rezistonit.
Protestuam dhe para Kuvendit, më 30 tetor. Hynin e dilnin deputetët socialistë, na shikonin, por për ta ne nuk ekzistonim, ashtu siç nuk ekzistojmë për shtetin dhe kompaninë, që duket se e ka paguar haraçin tek kjo godinë këtu.
Përse u ngritëm ne? Për kushte pune, sepse hyjmë në galeri dhe nuk e dimë a do dalim që andej. Për një pagë që të na siguronte një jetë më dinjitoze. Në ato toka ne kemi lindur, jemi rritur e kemi lindur fëmijë. Por fitimet e saj po ikin sa në xhepat e pushtetit dhe kush e di se ku. Për ne asgjë.
Sot moti është ftohur në Mirditë dhe bora ka filluar. Unë jam i papunë, fëmijët e mi duan ngrohje dhe veshje, dëbora do bëjë të sajën e nuk pyet ke apo s’ke të blesh dru zjarri apo veshje. Ku të ankohemi, kush na del për zot mua dhe shokëve të mi?
Sot dëgjoj për miliona të vjedhura, në tunele, në rrugë, me koncesione, a ku di unë tjetër se çfarë, ndërsa ne jemi çdo ditë para dyerve të minierës për bukën e gojës. Ja pra ky është shteti dhe këta janë ata që na drejtojnë sot. Për shkak të këtyre hajdutëve jemi këtu ku jemi. Po na ikin vëllezërit e fëmijët, se këtu ka të drejtë të jetojë vetëm ai që ka para e pushtet.
Unë nuk merrem shumë me politikë, por jam këtu në këtë protestë se askush s’mund të bëjë pazar me jetën time dhe me jetën e fëmijëve të mi. Jam këtu se jam i ndërgjegjshëm që në një qeveri të përgjegjshme këto nuk do ndodhnin. Një qeveri e përgjegjshme s’do më tregonte bukën e gojës, por do mbronte të drejtat e mia.
Por kur vjedh e nuk e qeveris, kjo ndodh. Prandaj duhet të ngrihemi të gjithë, se nuk po vuajmë vetëm ne minatorët. Po vuan edhe bujku, edhe pensionisti, edhe biznesi i vogël. Sa më shpejt të thyejë qafën kjo qeveri, sa më shpejt të shkojnë drejt burgut hajdutët, aq më shumë shpresë do kemi për të jetuar si njerëz. Mjaft është mjaft. Faleminderit.
“Sa më shpejt ta thyejë qafën kjo qeveri”/ Minatori: Mjaft, askush s’bën pazar në kurriz të fëmijëve të mi
