Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas kërkesës së Kryeministrisë për të shfuqizuar dhe pezulluar një vendim gjyqësor që cakton masa sigurie personale për zv/kryeministren Belinda Balluku.
Bardhi thekson se për herë të parë në historinë e Shqipërisë, Kryeministri dhe Këshilli i Ministrave kanë ndërhyrë institucionalisht në një rast individual, duke përdorur qeverinë si mbrojtje për një të pandehur. “Askund, në asnjë vend demokratik, nuk ka ndodhur që një i pandehur të përdorë Kryeministrin ose Këshillin e Ministrave si avokat për të kërkuar pezullimin e një vendimi gjyqësor”, shkruan ai.
Sipas Bardhit, kjo lëvizje ka vetëm efekt politik dhe synon të ushtrojë presion mbi drejtësinë, duke minuar pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe të organeve hetimore. Ai thekson se akti është antikushtetues dhe antidemokratik, duke rrezikuar parimin e barazisë përpara ligjit.
Reagimi i Bardhit:
Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, Kryeministri dhe Këshilli i Ministrave kanë ndërhyrë institucionalisht për të kërkuar shfuqizimin dhe pezullimin e një vendimi gjyqësor që cakton masa të sigurimit personal individualisht për një person. Askund, në asnjë vend demokratik, nuk ka ndodhur që Kryeministri dhe Këshilli i Ministrave të investohen institucionalisht në një rast individual për të goditur një masë sigurimi personal, qoftë kjo me karakter shtrëngues apo ndalues.
Kryeministria kërkesë Kushtetueses për Ballukun/ Bardhi: Presion politik mbi drejtësinë
