Në historiografinë shqiptare, Tahir Kolgjini renditet midis figurave e personaliteteve të tilla, si Mehdi Frashëri, Ernest Koliqi, Mustafa Kruja e kështu me radhë, që dikur cilësoheshin si “… bashkëpunëtorë të fashizmit e nazizmit”. Mësimet e para i mori në vendlindje, Lusën, prej Hoxhë Mulla Ademit nga rrethinat e Shkupit. Ishte një fëmijë tepër inteligjent. Kur’anin e mësoi përmendësh qysh i vogël.Me nisjen e luftërave ballkanike largohet familjarisht në Stamboll, ku pas 6 muajsh mbeti atje vetëm më të atin që merrej me tregti, pasi pjesa tjetër e familjes kthehet në vendlindje.Aty kreu Medresenë e Lartë dhe merë titullin “Hafiz”. I pajisur me kulturë e dije të thella fetare, por dhe politiko-juridike, kthehet në Shqipëri, që t’ju shërbej bashkëkombësve të vet, duke nisur me bashkëfshatarët e tij. Për tre vite nga 1925, deri në 1928, punon si mësues në Bicaj e Lusën.Nga fundi i vitit 1928, deri 1932, kryen detyrën e sekretarit të gjykatës së Paqes në Himarë e Kukës. Po këtë vit hedh kandidaturën për deputet, por listat manipulohen, kështu që angazhohet në krijimin e një partie politike ilegale, gjë për të cilën internohet nga autoritetet e kohës në Porto Palermo, ku qëndron një vit.Pasi hapi një shkronjëtore dhe punoi për disa kohë si shkrues publik, nga 1939 deri në 1944-ën, kryen detyra të tilla si kryetar bashkie në Kukës e Prizren; prefekt në Gjirokastër, Prishtinë e Shkodër dhe Drejtor i Përgjithshëm i Policisë në kohën që ministër i Brendshëm ishte Xhafer Deva.4-5 ditë para çlirimit të vendit, shkon në Jugosllavi, më pas në Vjenë e më andej në Romë e Milano, ku qëndron rreth katër vite. Në 1948-ën vendoset në Stamboll, derisa ndërroi jetë më 12 dhjetor 1988.Ndonëse për katër dekada qe një atdhetar i mërguar, mendjen dhe zemrën i kishte në atdhe, në vendlindje; tek gjuha shqipe dhe mbrojtja e vlerave, traditave e zakoneve shqiptare. Ishte një intelektual mjaft i angazhuar për çështjen kombëtare. Ka shkruar dhjetëra artikuj e studime me përmbajtje letrare, politike, kulturore e shkencore, të cilat janë botuar nëpër gazeta e revista të ndryshme në botë, ku si kriter kryesor ka patur të vërtetën dhe ndershmërinë profesionale.Megjithatë ndikimi i tyre në mjedisin politik shqiptar ishte “zero” për shkak të izolimit komunist që përjetonte Shqipëria deri dy vite pas ndarjes së tij nga jeta. Nga ana tjetër, në vend që të çmohej, etiketohej “armik e tradhtar”, ndonëse moto të qëndrimit të tij kishte postulatin e vendosur në krye të librit për Esad Pashën: “Në këtë botë, s’ka gja ma t’idhët se me të vumë të pa bamen”…!Siç dihet, vjeshta e vitit 1912 e gjeti Ballkanin në flakë. Shkaktar i këtij zjarri kanë qenë Serbia dhe Mali Zi, të cilat së bashku me Greqinë e Bullgarinë, kishin hartuar një plan për pushtimin e tokave shqiptare pas largimit të osmanëve. Periudha e luftërave ballkanike, ngjan si një tragjedi greke në tokat shqiptare.Serbët kërkonin dalje në detin Adriatik, duke tentuar të zënë portin e Durrësit, përpara se të mbërrinte aty Ismail Qemali në 21 nëntor 1912. Grekët luftonin në pjesën jugore. Në mbështetjen tonë ishin vetëm Austro-Hungarezët dhe Italianët, të cilin qysh në vitin 1880, kishin një projekt për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar.Kësisoj fati i vendit tonë ishte në presë të briskut. Po të mos ishte ndalur ushtria serbe në Lumën e Kolgjinëve, ajo do të zinte Durrësin përpara ardhjes aty të Babait të Pavarësisë Ismail Qemalit. Luftohej me armë por dhe me penë e diplomaci, sigurisht duke i kombinuar mes tyre këto forma të angazhimit atdhetar.Në këto momente bie në sy edhe aktiviteti patriotik në veri të vendit i Esad Pashë Toptanit. Duke iu referuar gjuhës së Tahir Kolgjinit, “e bamja” ishte traktati i paqes që Esadi nënshkroi me Mbretin Nikolla, duke e shkëputur Shkodrën nga thonjtë sllavë, për ta kthyer atë në Principatën Shqiptare, ndërsa “e pa bamja” ishte cilësimi i tij si “tradhtar” nga autoritetet komuniste në vitet e pasçlirimit(!?).Me standarde të tilla transparence ndaj vetes e të tjerëve shkroi Tahiri dhe apologjinë “Të vërteta shqiptaro – greke”, ku denoncon përpjekjet shoviniste për aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Ndërkohë fëmijët dhe farefisi i tij persekutoheshin për “…të pa bamen” nga regjimi politik i kohës në kampin e përqendrimit Tepelenë dhe burgjet famëkeqe të Spaçit e Burrelit, duke filluar me bashkëshorten e Tahirit, bijë e fisit të famshëm Lala nga Buzëmadhja, djalin e tyre të vetëm Ahmetin, nipër e mbesa, motra e vëllezër; në radhë të parë kushdo që mbante mbiemrin Kolgjini.Por shpirti i trashëgimtarëve të gjakut, sado i largët të ishte, nuk mund të burgosej, sikundër tek individë të tillë me integritet të lartë moral, s’mund të shpëlahej aq lehtë, as ndjenja e atdhetarizmit. Për këtë kategori patriotësh, dashuria ndaj atdheut nis me respektimin e kontributit të çdo qytetari të tij, pa dyshime dhe pa ndarje mbi baza politike. “Na nuk kemi të drejtë me i gjykue njerëzit që kanë ba Shqipninë”, – thotë At Zef Pllumi.Parë në këtë këndvështrim, mendoj se nuk kemi të drejtë të gjykojmë dhe mënyrën se si ata kanë kontribuar. Për më tepër lidhja e patriotizmit vetëm me luftën është një arsye e paarsyeshme.Lufta është një gjë e keqe, por jo me e keqe se sa tentativa politike për të demoralizuar tjetrin, që të humbas moralin dhe ndjenjat patriotike, nga që nuk zgjedh të mbajë në dorë armë “prej vërteti”. “Mospajtimi i mendimeve”, që Xheferson e cilëson si “formën më fisnike të patriotizmit”, nuk mund të bëhet shkak i marrjes së pozicionit armiqësor kundër atyre që s’kanë pushtet politik. Sepse, kur triumfon urrejtja për njerëzit që janë ndryshe nga mbështetësit e tu, nuk diskutohet që kemi të bëjmë me nacionalizëm dhe jo me patriotizëm.Kësisoj për pushtetin komunist, patriotizmi ishte një maskë antinjerëzore, për sa kohë vriteshin e persekutoheshin familje të tëra, vetëm pse në përbërje të tyre kishin individë që nuk mendonin në përputhje me vijën politike të partisë.Ndërkohë, shumica e këtyre familjeve reflektonin veç fisnikëri apo vlera e virtyte, të cilat i kishin dhënë jetë shqiptarizmës edhe në kohët më të errëta të vendit tonë. Historia ka dëshmuar me shembuj pafund, se nuk ka asnjë parcelë familjesh të fisme ku të mos rritet fara e patriotizmit, sikundër janë dhe ato të fisit Kolgjini.Veçojmë këtu Neritan Kolgjin, djalin e Ahmetit dhe nipin e Tahirit, teksa shpreh zhgënjim edhe ndaj pushtetit të sotëm, i cili sipas tij, “… është një vazhdim i sundimit komunist me forma të tjera… Ne nuk kemi pasur shumë ego dhe shumica kanë ikur jashtë shtetit. Ka qenë strategji e regjimit që të rinjtë që kishin energji për t’u angazhuar politikisht të ikin jashtë vendit dhe shumë kanë ikur…”!Në një farë mënyre, Neritan Kolgjini perifrazon thënien e shkrimtarit të njohur amerikan të shekullit të kaluar, Eduard Abei, sipas të cilit: “Një patriot duhet të jetë gjithmonë i gatshëm për të mbrojtur atdheun nga qeveria e tij”. Mbase ka parasysh dhe shprehjen filozofike të gjyshit të vet, Tahirit, i cili në Kongresin Mysliman Shqiptar të Prizrenit, mbajtur në vitin 1941, i drejtohet Mustafa Krujës: “As qeveria të mos lidhet mbas fesë dhe as feja mbas qeverisë”.Vërtetë Tahir Kolgjini u formua si intelektual në mërgim, por rrallëkush si ai i është përmbajtur të drejtës zakonore shqiptare në të gjithë aktivitetin e tij social-patriotik e kulturor, duke vepruar gjithmonë ashtu siç shkruante e ligjëronte; pa e ndarë fjalën nga vepra dhe Shqipërinë nga zemra.Në këtë kuptim është domethënës fillimi te “Jetëshimi i em shkurtimisht…”, ku midis të tjerash shkruan: “Jam i biri i Ali, Osman, Hasan, Sulë, Idris, Bajram, Shahin Kolgjinit.Nana e eme, asht Qamile Kolgjini, e bija e Sadik Totës nga katundi Vilë po i Lumës…! Pata pyetun babën. Më pat thanun se unë, kishëm lemë në vjetën e Shemsi Pashës, qi paska pasë ardhun në Lumë e në Shqipni për me pajtue gjaqet në 1910, qi kjo datë allaturka i gjegjet vjetit 1903. E pata pyetun nanën mbi stinën, qi kam lemë. Më pat thanun se, unë, paskam lemë rrumbullak 12 ditë para Shëngjergjit. Pra, në 24 prill 1903…”. Kësisoj fisi Kolgjini, Lusëna dhe Shqipëria përbëjnë një unison të pazgjidhshëm me qenien njerëzore të Tahirit, duke dhënë mesazhe të shumta për kohën e sotme.Gjatë këtyre 35 viteve të fundit, shoqëria shqiptare ka marrë plasaritje të mëdha, ku një nga plagët që rrjedh vazhdimisht është shpopullimi i krahinave të tëra dhe sidomos braktisja e atdheut pa e kthyer kokën pas. Po masivizohet fenomeni i të mos-ndjerit mirë në vendin tënd, duke u endur “… si çifutët në shkretëtirë”, ndërkohë që nuk mungojnë shembujt e tjerë, të cilët tregojnë, se mënyra më e mirë për të shtuar dashurinë ndaj atdheut është qëndrimi i përkohshëm në një vend të huaj…! /Memorie.al/ Nga Feti Zeneli
“E drejta zakonore…” e Tahir Kolgjinit
