“Përmbytjet zbulojnë skandalet, ‘investimet’ e qeverisë”/ Shembja e aksit, reagon Boçi: Rrugë arash për qerre

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë Rama dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, pas përmbytjeve të ditëve të fundit që shkaktuan bllokime në disa akse kombëtare.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Boçi deklaroi se reshjet e zakonshme të shiut “mjaftuan për të zbuluar brishtësinë e shtetit të propagandës dhe madhësinë e korrupsionit qeveritar”.
Sipas tij, nuk bëhej fjalë për stuhi ekstreme, por për një shi normal vjeshte, i cili “vetëm sa duhej për të larë pluhurin”, por që megjithatë nxori jashtë funksionimi rrugë të rëndësishme kombëtare.
Boçi akuzoi qeverinë se miliarda lekë të investuara në projekte si Qukës–Qafë Plloçë, Korçë–Ersekë dhe segmente të tjera “u tretën si kripa në ujë”, duke e krahasuar cilësinë e punimeve me “rrugë arash për qerre me misër, e jo korridore europiane”.
Ai shtoi se kjo situatë dëshmon se “vendit nuk i duhen auditime të shtrenjta, por thjesht shi”, duke e quajtur ujin “institucionin e vetëm që nuk korruptohet dhe nuk negocion”.
Nënkryetari i PD u ndal edhe te bypass-i i prezantuar së fundi nga kompania zbatuese e projektit në Qafë Plloçë, të cilin e cilësoi si “reklamë propagandistike” të një investimi që, sipas tij, ka kosto të fryra dhe probleme serioze abuzimi.
“Bypass-i i vogël hedh në erë gjithë projektin abuziv dhe shumat e grabitura”, deklaroi Boçi, duke e cilësuar situatën “ironike dhe të turpshme”.
Luçiano Boçi:
Besoni shiun jo qeverinë
U deshën ca gjyma shiu që të zbulonin sa i brishtë është shteti i propagandës dhe sa i madh është mali i korrupsionit të Ramës.
Nuk kishte as ciklon, as stuhi biblike. Ra thjesht shi. As shumë e as pak.
Aq sa për larë pluhurin e vjeshtës.
Por kaq mjaftoi që akset tona kombëtare të dilnin jashtë loje, e të shkrinin si kripa në ujë miliardat e Qukës-Qafë Plloçë e Korçë-Ersekë e rrugëve të tjera kudo, sikur të ishin rrugë arash për kalimin e qerreve me misër e jo korridore jetike të një vendi europian ku kalojnë makina.
Ky shi vjeshte dëshmoi se ky vend duket që nuk ka nevojë për auditime, as për ekspertiza të shtrenjta.
Ka nevojë vetëm për shi.
Shiu është i vetmi institucion që nuk korruptohet, nuk negocion, nuk mbyll sytë. Shiu bie mbi të vërtetën. Dhe këtë javë, të vërtetat që zbuloi ishin brutale.
Ironia e gjithë situatës ishte reklamimi propagandistik i bypassi-t që bëri firma me 2 milion lekë për të shplarë 260 milion eurot e grabitura të Qafë Plloçës.
Harruan që ai bypass-i i vogël, hedh në erë projektin abuziv dhe realizimin e tillë si dhe shumat e fryra e të grabitura të investimit.