“Kënga e Mjellmës” në TKOB, shfaqja ngjitet në skënë mbrëmjen e të martës

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, në datën 25 nëntor, do të sjellë para publikut mbrëmjen muzikore “Kënga e Mjellmës”, një recital i ndërtuar mbi veprat më përfaqësuese të Franz Schubert.
Në skenë do të ngjiten baritoni Artur Vera dhe pianistja Etrita Ibrahimi, duke krijuar një dialog të harmonizuar mes zërit dhe instrumentit. Programi i shfaqjes pritet të sjellë emocione të forta, nga lirizmi delikat deri te kulmet dramatike të repertorit klasik.
“Dialogu ndërmjet pianos dhe vokalit është shumë i thjeshtë, pasi vepra është ndërtuar në një mënyrë të tillë që si pianoja, ashtu edhe vokali, trajtohen si dy instrumente të barabartë. Kjo mënyrë ndërtimi është karakteristike për muzikën e dhomës në përgjithësi, por edhe për këtë cikël në veçanti, i cili është cikli i fundit i lied-eve që Schuberti ka shkruar”, tha pianistja Etrita Ibrahimi.

“Kënga e Mjellmës” vjen si një hapësirë reflektimi, përkushtimi e arti të pastër, dhe synon të krijojë një përvojë intime muzikore për publikun, duke vendosur në qendër interpretimin solistik.
“Sfida më e madhe për ne është të jemi sa më profesionalë dhe të justifikojmë pikërisht këtë kryevepër të autorit. Është një vepër që i përfshin të gjithë, sepse ka si fjalë kyçe pikërisht atë që është gjëja më e rëndësishme që ne kemi, dashurinë. Dhe të gjitha lidhen nga e para deri te e fundit duke folur pikërisht për këtë temë. Do të dëshiroja shumë që njerëzit të ishin të pranishëm, të vinin dhe të bëheshin pjesë e një përjetimi në të cilin do të gjenin veten e tyre”, u shpreh Artur Vera, bariton.
Kjo premierë e cilësuar si testamenti i fundit artistik i Schubert, vjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit nesër në mbrëmje në orën 19.00./vizionplus.tv