4 telefonat e Berberit ‘gropa thithëse’ për Ballukun/ SPAK fut në ‘skaner’ dhe 6 Lotet e tjera të Unazës së Madhe

Katër telefonat e sekuestruar në banesën e ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, janë kthyer në “pusetën thithëse” të zyrtarëve të kësaj drejtorie dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës.
Mes shumë persona që kanë rënë në rrjetën e këtyre komunikimeve të kapura në aplikacionet “Whatsapp” dhe “Signal”, tashmë është dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, njëherësh zv/kryeministria e Shqipërisë. Në telefonat e Berberit, SPAK ka gjetur mbi 6500 mesazhe të shkëmbyera mes shumë zyrtarëve dhe biznesmenëve, përfshirë dhe shefen e tij Belinda Balluku.
Një burim i besueshëm pranë SPAK, që ka trajtuar një nga dosjet penale të Belinda Ballukut dhe zyrtarëve vartës të saj, i tha gazetarit Elton Qyno, se rasti i ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës, është si puna e atij thasit të miellit.
“…sa herë ta shkundësh thesin e miellit, po aq herë nxjer miell…”-u shpreh burimi. Duke nënkuptuar se Belinda Balluku ka një seri shkeljesh të së njëjtës natyrë të paracaktimit të tenderave publikë.
Ndërkohë hetime të tjera me të njëjtin karakter janë duke u kryer dhe për 6 Lotet e tjera të praktikave tenderuese për ndërtimin e Unazës së Madhe në Tiranë.
Këto verifikime janë hapur pasi sipas përmbajtjeve të bisedave ka indicie që ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, së bashku me vartësin e saj të ARRSH-së, Evis Berberi dhe zyrtarë të tjerë kanë kryer veprime të kundraligjshme duke paracaktuar fituesit privatë në tenderat publikë.
Hetimet janë në verifikim e sipër, ndërsa prokurori i SPAK mësohet të ketë kërkuar dokumentacionin pranë ministrisë dhe ARRSH-së.
Ndërkohë në caktimin e masës së sigurisë “Pezullim nga detyra” dhe “Ndalim dalje jashtë shtetit”, gjykata e Posaçme, ve në dukje një kriter domethënës se zyrtarja e lartë ka rrezik potencial për të kryer të njëjtën vepër penale siç është shkelja e pabarazisë në tendera, për të cilat ajo aktualisht është marë e pandehur në dy raste.
Për të parandaluar këtë veprimtari të paligjshme, është e nevojshme që e pandehura Belinda Balluku, të pezullohet nga detyra, në mënyrë që mos ketë akses në ushtrimin e detyrës, pasi ka potencial dhe indicie që të përsërisë të njëjtin fakt penal në tendera të tjerë.