Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të martën se Kievi do të vazhdojë të punojë me partnerët e tij mbi planin e SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në mënyrë që të gjejë një zgjidhje që do ta forconte Ukrainën, jo ta dobësonte atë.
Duke folur në një lidhje të drejtpërdrejtë në samitin e Platformës së Krimesë në Suedi, Zelensky tha se Rusia duhet të paguajë për luftën në Ukrainë dhe shtoi se vendimi për të përdorur asetet e ngrira ruse ishte thelbësor.
“Ju kërkoj të mos heshtni, të mos jeni vëzhgues pasivë të historisë, por të bëheni pjesëmarrës në të. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të mbështesim Ukrainën – dhe dua t’ju falënderoj për këtë mbështetje. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të mbështesim Ukrainën në procesin e negociatave,faleminderit për çdo këshillë, për gjithçka që marrim nga udhëheqësit evropianë. Është gjithashtu jashtëzakonisht e rëndësishme të mbështesim parimet që përfaqëson Evropa. Kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë. Kriminelët nuk duhet të mbeten të pandëshkuar. Ata duhet të mbajnë përgjegjësi për luftën që filluan”, tha presidenti ukrainas, ndër të tjera.
🇺🇦 President of Ukraine @ZelenskyyUa delivered remarks at the opening of the fourth Parliamentary Summit of the Crimea Platform.
💬 “I’m glad that the Ukrainian Crimean Platform, and its parliamentary track, continues to work and keeps attention on a simple truth – every nation… pic.twitter.com/Bu4gO7NGMT
— Crimea Platform (@crimeaplatform) November 24, 2025
Nga ana e tij, kryetari i parlamentit ukrainas deklaroi se vijat e kuqe të Kievit në negociatat për t’i dhënë fund luftës mbeten të njëjta dhe kanë të bëjnë me njohjen e territoreve të pushtuara, kufizimin e numrit të forcave të armatosura ukrainase dhe kufizimet në aleancat e ardhshme në të cilat Ukraina mund të hyjë.
Ukraina ka këmbëngulur në këto qëndrime për shumë kohë, megjithëse ato bien ndesh me planin amerikan të paraqitur në Kiev javën e kaluar.
Duke folur gjithashtu për Platformën e Krimesë, Ruslan Stefanchuk theksoi se pranimi i Ukrainës në BE dhe NATO duhet të jetë pjesë e garancive të sigurisë që vendi do të marrë dhe të përfshihet në çdo plan paqeje.
Bisedë Zelensky – Stubb
Volodymyr Zelensky pati një bisedë telefonike me Presidentin e Finlandës, Alexander Stubb, të hënën në mëngjes, gjatë së cilës diskutuan rezultatet e negociatave në Gjenevë mbi “planin e paqes”.
“Fola me Presidentin Volodymyr Zelensky këtë mëngjes. Mirëpres progresin e bërë gjatë takimeve të djeshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës në Gjenevë. Bisedimet janë një hap përpara, por çështje të rëndësishme mbeten ende për t’u zgjidhur”, vuri në dukje Stubb.
Sipas tij, çdo vendim që bie në kompetencën e BE-së ose NATO-s “do të diskutohet dhe miratohet veçmas nga anëtarët e BE-së dhe NATO-s”.

Leave a Reply