Reshjet e shiut në vend/ Normalizohet situata në qarkun e Lezhës, grupet e punës vlerësojnë dëmet

Situata në 24 orët e fundit e krijuar nga reshjet e shiut në vend ka filluar të normalizohet teksa territori i qarkut Lezhë vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar por me intervale afatshkurtra, ku sipas të dhënave nga Stacioni Meteorologjik Ushtarak Gjadër deri në orën 06:00  kanë rënë 30 mm shi.
Nga situata e krijuar nga reshjet e shiut në bashkinë Kurbin bëhet e ditur se sot do të vazhdojë puna për devijimin e shtratit dhe përforcimin e argjinaturës së lumit Drojë, kjo në varësi të kohës dhe prurjeve të lumit.
Sipas raportimeve të fundit, grupet e punës do të vazhdojnë me vlerësimin e dëmeve, ku nga OSHEE do të vazhdojë puna për riparimin e linjës së fshatit Skuraj. Ndërsa në bashkinë Lezhë, sot do të vijojë puna për përforcimin dhe ngritjen në lartësi të argjinaturës së dëmtuar me mjetet e DRUK, bashkisë, FA dhe operatorëve privatë. Gjithashtu pritet të vijojë puna për vlerësimin e dëmeve dhe për shpërndarjen e ndihmave, të ardhura nga RMSH dje dhe pjesa që do vijë sot  (300 pako në total).
Në njësitë administrative Zejmen, Kolsh dhe Shënkollë vazhdon të ulet niveli i ujit në sipërfaqet bujqësore, ndërsa ekipet e MZSH po punojnë për largimin e ujit në bodrume/parkingjet e pallateve në Shëngjin e Lezhë. Nga ana tjetër, OSHEE raporton se furnizimi me energji është në kushte normale.
Sa i përket bashkisë Mirditë, bëhet e ditur se do mbahen në monitorim dy banesat që rrezikohen nga rrëshqitja e tokës ndërsa mjetet bashkiake duke parë reshjet e shiut, do ndërhyjnë ku është me emergjente.
Aksi Rrëshen-Bukmirë vazhdon të monitorohet dhe të ndërhyhet, pasi ka segmente me rrezik shembje. Grupet e punës për vlerësimin e dëmeve do të vazhdojnë evidentimin e dëmeve.
Furnizimi me ujë ka vazhduar rregullisht, kurse me energji elektrike ka pasur ndërprerje të herëpashershme por është rikthyer. Ndërsa hidrovorët punojnë të gjithë me kapacitet të plotë.
Sa i përket lumit Drin ka pësuar rritje por është brenda kuotave jo problematike, po kështu dhe lumit Mat.