Çfarë po ndodh me pensionet, eksperti zbardh të vërtetën e hidhur dhe akuzon qeverinë për shifra që fshehin krizën…

Eksperti i ekonomisë dhe sigurimeve shoqërore, Kujtim Hoxha deklaroi se përmirësimet e pensioneve që ka deklaruar kryeministri Edi Rama nuk përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe janë në kuadrin e propagandës. Teksa ishte i ftuar në një studiot televizive këtë fundjavë, ai vuri në dukje se vendet e rajonit japin mbi 10 për qind të PBB-së për pensionet, ndërkohë që Shqipëria vetëm 7,4 për qind. Sipas Hoxhës, qeveria duhet të nxjerrë minimumin jetik, që do të ndikojë mandej në rritjen e pensioneve. “Nga deklarimet që ka bërë kryeministri, ai deklaroi se në 2026-ën do ketë përmirësim të të ardhurave nga pensionet, dhe këtë e ka ndarë me fasha. Është parashikuar të ketë një vazhdimësi për të përfituar pensione në një kuotë fikse, duke filluar nga janari e në vazhdim. 600 lekë në muaj për invalidët, 72 mijë lekë të vjetra në vit, ndërkohë që pensionet familjare do jenë me 700 lekë, ose 84 mijë lekë të vjetra.
Pensionet urbane të plota do jenë 18 mijë lekë të vjetra në muaj, ndërkohë që pensionet e tjera urbane 1 mijë lekë të rinj. Përpjekjet për ndryshimin e skemës e shoh jo vetëm me skepticizëm. Janë shumë herë më të larta pensionet e vendeve përreth se sa ne. Duhet të gjejmë shkaqet pse jemi në fund të vendeve ballkanike. Ndryshimet sipas fashave nuk zgjidhin gjë, përmirësojnë diçka, por s’i ndalin nga mjerimi. Pyetja shtrohet: Nëse me këto të ardhura që ka skema e sigurimeve shoqërore mbështet minimalisht interesat e qytetarëve ose jo. Ne jemi vendi i fundit në Ballkan, në përqindje, duke e krahasuar me PBB-në. Ne zëmë 7,4 ca për qind, ndërsa vendet e tjera në Ballkan e kanë mbi 10 për qind. Këtë duhet të bëjmë. Si do vazhdojmë për ta nxjerrë skemën e sigurimeve shoqërore nga gjendja. S’bëhet fjalë për të ndarë diçka, por për ta nxjerrë nga gjendja. Atyre që kanë pension 100 euro s’u ndryshon asgjë 600 lekë më shumë. Paga minimale në 2026 do bëhet 500 euro. Nëse nuk shoqërohet me produktivitet do kalojmë në inflacion më të rëndë dhe biznesi do ketë barrë të papërballueshme. Këto shkojnë paralelisht, si rritja e pensioneve dhe e pagave. Kjo është më tepër propagandë, për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve, hedhin ndonjë shashkë. A është në gjendje kryeministri të nxjerrë minimumin jetik? Kjo është zgjidhje”, deklaroi ai.
Pse pensioni mesatar nuk shkon 400 euro brenda mandatit?
Ndërkohë disa ditë më parë, specialisti për sigurimet shoqërore, Kujtim Hoxha komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Edi Rama se 1.7 miliardë euro gjatë këtij mandati qeverisës do të shkojnë për rritjen e pensioneve, e cilëson si demagogji. Ai deklaroi se pensionet janë mizerabël dhe se pavarësisht deklarimeve me llogaritje, nuk arrihet që brenda mandatit qeverisës pensioni mesatar të shkojë 400 euro. “Sot përfitojnë pension pleqërie 725 mijë qytetarë, nga të cilët 537 mijë qytetarë marrin pension në 185 mijë lekë të vjetra, pjesa tjetër marrin pension mbi 200 mijë lekë. Këto janë shifrat e vetë qeverisë, janë mbi 120 mijë qytetarë që marrin pension nën 100 euro, pensione pleqërie, pensione familjare dhe invaliditeti. Kjo duhet të shqetësonte qeverinë dhe të ishte një kambanë alarmi, se pensionet janë mizerabël. Nuk mund të futemi në Europë pa plotësuar ca standarde. Pension mesatar 400 euro do të thotë që pensionet që janë mbi 200 euro, janë 190 mijë, atëherë pensioni mesatar krahasuar me këta 537 mijë nuk plotëson 400 euron, nuk shkon aq me shtimin 18 mijë lekë në vit.
Ose Kryeministri është demagog, ose e bëri për të kaluar zgjedhjet e pjesshme. Me atë që ka ndërmend të bëjë dhe atë që pretendon Shqipërinë e viteve 2030 që thotë pensionet do të rriten deri 200 euro, sepse pas katër vitesh që do të lërë mandatin qeveria, i bie që qytetarët që sot marrin pension 40% e tyre të mos jenë më, sepse bëhet seleksionim natyror. I bie që 40% e këtyre qytetarëve të mos ekzistojnë. Çfarë ideje ka qytetari i parë i Shqipërisë, për të nxjerrë Shqipërinë nga kjo gjendje mjerane që është. E ka thënë publikisht që do i rrit pensionin në mënyrë të përmuajshme me 600 lekë çdo muaj. Do të thotë që vitin që vjen të përfitojë 7200 lekë të rinj për 2026.  Kjo është demagogji të merresh me shtresat e pambrojtura. Me këtë ndarje që i bie, Kryeministri ka thënë se rritja e pensionit për vitin 2026 do të jetë e përmuajshme, sipas kategorive 18 mijë lekë, 700 lekë dhe 600 lekë për pensionin e invaliditetit. Kjo pjesë 100 milionë që do të jepet në vit, do të jetë sa bonusi i fundvitit”, nënvizoi eksperti i ekonomisë dhe sigurimeve shoqërore, Kujtim Hoxha.