Rruga Qukës–Qafë Plloçë, një ndër projektet më të gjata, më të kushtueshme dhe më të stërzgjatura të infrastrukturës shqiptare, është shembur vetëm nga një shi i parë i vjeshtës. Gjithashtu probleme ka shfaqur dhe aksi Korçë-Ersekë, pikërisht në vendin ku një vit më parë pati rrëshqitje toke. Mesditën e djeshme janë evidentuar disa plasaritje. Aktualisht aksi është i qarkullueshëm, ndërsa nuk dihet nëse plasaritja do të shkojë edhe më tej në strukturë duke rrëzuar plotësisht rrugën. Tenderi i rrugës Korçë-Ersekë, një pjesë e së cilës u shemb sapo u ndërtua, u bë shkak që kryebashkiaku Isai të thirrej për herë të parë në SPAK në maj të vitit 2023. Mes të pandehurve është edhe firma projektuese e rrugës A&E ENGINEERING, në pronësi të Entela Çano, e cila dyshohet se kishte lidhje me Isain. Kompania e Entela Çanos ishte edhe mbikëqyrëse e punimeve, pra që do të garantonte cilësinë e punimeve. Ajo fitoi tenderin gati sa fondi limit me vlerë gati 200 mijë euro. Ndërtimi kësaj rruge u realizua nga kompania “A. N. K.”, ndërsa prokurues është Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Skandali në Qukës–Qafë Plloçë
Situata më e rëndë është në rrugën Qukës–Qafë Plloçë, pasi u degradua shumë shpejt një vepër që sapo ishte inauguruar me masa gjigante shkëmbore të rrëzuara mbi asfalt, barriera të shtrembëruara si fletë kartoni dhe një segment i tërë, i shkatërruar brenda pak sekondash. Shkëmbinjtë kanë çarë murin mbajtës në disa pika, ndërsa asfalti është dëmtuar. Për pasojë një mur guri me peshë mbi dhjetëra tonë ka rënë mu në mes të karrexhatës, duke e bërë qarkullimin të pamundur. Është e dukshme se shembja ka ndodhur në një pikë ku është bërë gërmim i thellë në trup të malit, pa konsolidimin e duhur të shtresave. Për shembjen, Autoriteti Rrugor Shqiptar i ka larë duart me një njoftim, ku fajëson “Reshjet e dendura të shiut… që kanë shkaktuar çarjen e skarpatës dhe rënien e gurëve në trup të rrugës në km 35.” Me fjalë të tjera, rënia e masivit shkëmbor është konsideruar thjesht pasojë e motit, edhe pse aksi ka kushtuar qindra milionë euro dhe është projektuar për terren malor. ARRSH kërkoi nga qytetarët “të ulin shpejtësinë” dhe njoftoi se “po krijohet një bypass i përkohshëm”. Megjithatë disa pyetja për këtë rast janë të pashmangshme: Si mund të shembet një rrugë me koston e një autostrade alpine vetëm dy muaj pas inaugurimit?
Kilometrat e florinjtë të Qukës-Qafë Plloçë
Projekti i rrugës Qukës–Qafë Plloçë lindi si premtim elektoral në 2009, me një kosto fillestare të parashikuar deri në 90 milionë euro. Më pas, realiteti u bë shumë më i shtrenjtë. Rruga është shtrirë në 43.4 kilometra terren malor, ndaj qeveritë radhazi u përballën me vështirësi, me ngecje, me shpallje fondesh të reja dhe marrëveshje të ndryshme financiare me bankat islamike dhe fondet saudite. Kjo odise u zgjat 16 vjet. Nga 38 dhe 63 milionë dollarë të lotit të parë dhe të dytë, kostoja gati u dyfishua: 74 milionë për lotin e parë dhe 95 milionë për të dytin. Loti i tretë, i paplanifikuar në projektin fillestar, solli nevojën për kredi tjetër. Totali shkoi mbi 235 milionë dollarë nga financimet e huaja. Deputetë të opozitës kanë thënë se në total shifra i afrohet 260 milionë eurove. Në këtë pikë, paratë e taksave kalojnë në një nivel shpërdorimi të frikshëm. 260 milionë euro për 43.4 km rrugë do të thotë rreth 6 milionë euro për kilometër. Ministrja Belinda Balluku, në ditën e inaugurimit në shtator, deklaroi se projekti i vjetër ishte “i nisur gabim”, madje “indiferent ndaj gjeologjisë së zonës”. Kryeministri Rama e plotësoi: “Është projekti më i gjatë, më i stërmundimshëm, më i ngatërruar, sepse u nis mbrapsht.” Fjalët dukej se shërbenin si justifikim për vonesën dhe koston. Por shembja dy muaj më pas e kthen këtë në një aferë të dyshuar korrupsioni, pasi nuk është e vetmja vepër nën vargun e kritikave që lidhet me institucionet që drejtoi Balluku. Skandalet e shumta kulmojnë me tunelin e Llogarasë, ku prokuroria dokumentoi komunikime të ndërsjella dhe ndërhyrje të paligjshme në tenderime.
Nuk kanë fund skandalet e qeverisë me rrugët, shembet Qukës–Qafë Plloçë dhe plasaritet Korçë-Ersekë, miliona euro dëm
