Në skenën shqiptare të artit, emri i Bashkim Zahajt qëndron si një prej skenografëve më të rëndësishëm. Me një përvojë të gjerë në projekte të shumta artistike, skenografi Zahaj njihet për vizionin e tij të qartë estetik, përkushtimin ndaj artit dhe zërin kritik ndaj mënyrës se si trajtohen artistët në vend. Në intervistën për gazetën “SOT”, skenografi i njohur Bashkim Zahaj ndalet dhe mbi strategjinë e re kombëtare të kulturës 2026-2030, sfidat me të cilat përballen artistët, risitë dhe debatet në hapësirat publike, si edhe mbi domosdoshmërinë e rikthimit të prapavijës realizuese në teatër e institucione të tjera artistike, një element që ai e konsideron themelor për cilësinë e veprave. Një moment tjetër i rëndësishëm në debatin publik ka qenë edhe ndërhyrja artistike e fundit te mozaiku “Shqipëria” në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, një ngjarje që ngjalli reagime dhe polemika të shumta. Zahaj, artikulon qëndrimet e tij mbi autorësinë, integritetin e veprës artistike dhe sipas tij kufijtë, që duhet të respektojë çdo ndërhyrje në artin publik. Ndër të tjera skenografi shprehet se performanca arti si instalacione të përkohshme mund të bëhen kudo, por jo mbi vepra të dikujt tjetër dhe kjo sipas tij nuk justifikon as edhe pëlqimin e institucioneve, sepse edhe institucioni përkatës nuk përfaqëson unitetin estetik dhe kuptimor të artit, por vetëm atë juridik. Skenografi Bashkim Zahaj që dhe më parë ka sjellë në vëmendje problemet në jetën artistike, shprehet gjithashtu se Tirana ka plot sheshe e hapësira, ku mund të vendosen vepra arti nga të gjitha rrymat, por akoma thotë ai nuk kemi monumentet historike (buste, shtatore, relieva, memoriale, etj), të cilat janë përfaqësuese të kulturës dhe historisë së kombit, pas tyre sigurisht edhe vepra dhe instalacione moderne, ku gjithmonë përgjegjës për publikimin e tyre është grupi me arkitektë, urbanistë, piktorë, skulptorë, shkrimtarë, etj, dhe jo nëpunës të administratës shtetërore.
– Një moment i rëndësishëm në debatin publik ka qenë edhe ndërhyrja artistike më parë te mozaiku “Shqipëria” në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, një ngjarje që ngjalli reagime dhe polemika. Mozaiku monumental “Shqipëria” u bë hapësira, ku historia dhe arti bashkëkohor ndërthuren, ndërsa figura ikonike e gruas me xhubletë rikontekstualizohet me një gjest të fuqishëm simbolik në mbështetje të grave që përballen me kancerin. Ju ishit një ndër zërat kritik, çfarë mund të na thoni më shumë mbi ndërhyrjet në veprat e artit?
Pa hyrë te subjekti fillimisht duhet të kemi parasysh se çfarë është një vepër arti, çfarë është e drejta e autorit etj. Vepra e artit është e pacënueshme pa dijeninë dhe pëlqimin e autorit, pasi autorësia mbrohet me ligj. E dyta, veprat e artit, të cilat janë në publik marrin një të drejtë universale në shërbim të publikut edhe si pronë intelektuale dhe janë ekstremisht të paprekshme edhe nëse autori mund të dojë, pasi ajo e kalon pronësinë e autorit dhe është vepër publike. Në këtë rast është akoma shumë më e vështirë cenimi i tyre nga dikush tjetër pavarësisht qëllimit dhe subjektit. Kështu, për asnjë qëllim nuk cënohet monumenti “Nëna Shqipëri” apo “Skënderbeu”, etj.
Pasi cënohet jo vetëm e drejta e autorit, por edhe subjekti i veprës, e cila në një rast të tillë shkakton dëm të pallogaritshëm në konceptin mbi veprën e artit. Mendoni sikur të ndodhte kjo me “Mona Lizën” apo “Davidin” e Mikelanxhelos.
Pa dyshim që performanca arti si instalacione të përkohshme mund të bëhen kudo, por jo mbi vepra të dikujt tjetër; kjo nuk justifikon as edhe pëlqimin e institucioneve të artit. Pse? Sepse edhe institucioni përkatës nuk përfaqëson unitetin estetik dhe kuptimor të artit, por vetëm atë juridik. Me fjalë të thjeshta, duhet të jenë një grup profesionistësh për marrjen e vendimeve të tilla (që në fakt pa pëlqimin e autorit janë të pavlerë). Asgjë nuk e justifikon “përdhosjen” (instalacionin) mbi një vepër arti publike. Duhet të ishin gjetur forma dhe mënyra të tjera; mosdija dhe mungesa e profesionalizmit në teori dhe praktikë sjellin gjithmonë kakofoni jo vetëm te publiku i thjeshtë, por edhe në art.
– Ju edhe më parë keni reaguar për veprat e artit në hapësira publike. Për problemet që keni shprehur, çfarë mund të thoni për institucionet?
Tirana ka plot sheshe e hapësira ku mund të vendosen vepra arti nga të gjitha rrymat, por ne akoma s’po kemi monumentet historike (buste, shtatore, relieva, memoriale, etj), të cilat janë përfaqësuese të kulturës dhe historisë së kombit; pas tyre sigurisht edhe vepra dhe instalacione moderne, ku gjithmonë përgjegjës për publikimin e tyre është “grupi i estetëve” (arkitektë, urbanistë, piktorë, skulptorë, shkrimtarë, etj) dhe jo nëpunës të thjeshtë të administratës shtetërore.
-Ju jeni skenograf që keni realizuar projekte të ndryshme, por cilat janë pasojat e një infrastrukture të pamjaftueshme në realizimin e veprave të mëdha, si i vlerësoni kushtet teknike të teatrove dhe institucioneve kulturore sot?
Ka ardhur koha të kthehemi aty ku ishim përpara 20 viteve në funksionimin e institucioneve të artit si teatri, opera, televizioni. Tashmë u provua se heqja nga këto institucione e prapavijës realizuese ishte veprim që jo vetëm nuk dha rezultat, por lejoi abuzim të vazhdueshëm në fondet përkatëse. Prapavija (marangoz, mekanik, butaforist, realizues, piktor, rrobaqepës, etj) dhe vendi i posaçëm i punës së tyre është vendimtare në prodhimtarinë artistike të tyre, pasi si punonjës definitiv janë “bashkautorë” të veprës. Pikërisht heqja e tyre solli rënie të cilësisë, pasi kjo ka lidhje determinuese me anën financiare dhe fondin për realizim. Tenderat jo vetëm nuk rritën cilësinë, por shpesh përfundojnë drejt abuzimeve.
Tashmë nga ministria duhet të rihapen këto kategori pune, pasi jo vetëm prodhimi artistik do të përmirësohet, por edhe do të rritet profesionalizmi për këto vende pune që kanë nevojë për kontingjent nga arsimi i mesëm dhe i lartë (nga liceu, realizues, piktorë, skulptorë, etj). Tashmë ka nevojë për një kthim dhe reformë në identitet, në natyrën e vërtetë të funksionit të këtyre institucioneve, ashtu si edhe simotrat e tyre jashtë vendit. Prapavija e institucioneve që prodhojnë art është kyçi i suksesit.
-Disa javë më parë u bë me dije nga ministri Blendi Gonxhja në një takim me artistë e më gjerë, që ka nisur puna për hartimin strategjisë së re kombëtare të kulturës 2026-2030. Çfarë prisni nga strategjia e re për artin dhe kulturën 2026-2030?
Strategjitë e profilizuara zakonisht bëhen me specialistë të aftë të fushës. Nuk kam informacion nga ky institucion dhe as në rrethin tim të artistëve.
Intervistoi: Julia Vrapi
Bashkim Zahaj: Performanca arti si instalacione të përkohshme mund të bëhen kudo, por jo mbi vepra të dikujt tjetër
