Delegacionet e Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës kanë zhvilluar një takim të cilësuar si “shumë produktiv” këtë të dielë, më 23 nëntor, në kuadër të bisedimeve për finalizimin e një marrëveshjeje paqeje, ndërsa diskutimet vazhdojnë në Gjenevë me pjesëmarrjen e aleatëve evropianë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe kryenegociatori ukrainas, Andriy Yermak, dhanë një përditësim të shkurtër pa pranuar pyetje nga gazetarët, duke e cilësuar procesin si “takimin më produktiv dhe më domethënës deri tani”.
Siç raporton BBC, Rubio theksoi se palët kanë arritur përparim të ndjeshëm mbi bazën e sugjerimeve të ofruara dhe po bëjnë rregullime për të afruar një dokument të përbashkët që i përshtatet si SHBA-ve, ashtu edhe Ukrainës.
Nga ana e tij, Yermak shprehu mirënjohje ndaj SHBA-ve dhe presidentit Donald Trump, duke thënë se bisedimet po ecin drejt një “paqes të drejtë dhe të qëndrueshme”. Ai shtoi se delegacionet do të vazhdojnë punën gjatë ditës dhe në ditët në vijim për një propozim të përbashkët me aleatët evropianë.
Presidenti Trump, më herët gjatë ditës, u tha se i kritikoi udhëheqësit ukrainas për “mungesë mirënjohjeje” ndaj përpjekjeve amerikane për t’i dhënë fund luftës, duke përsëritur një akuzë që e ka bërë edhe më parë. Deklarata e tij erdhi pasi presidenti Zelensky theksoi se ekziston një mirëkuptim që plani i propozuar nga SHBA-të mund të marrë parasysh interesat kombëtare të Ukrainës.
Ndërkohë, udhëheqësit evropianë kanë kritikuar planin me 28 pika, duke e cilësuar atë të favorshëm për Rusinë. Megjithatë, Rubio dhe Witkoff, i dërguari special amerikan, janë duke vijuar diskutimet me negociatorët ukrainas dhe evropianë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme.
Presidenti Zelensky, në një deklaratë të bërë në platformën X, u shpreh se është “mirënjohës ndaj çdo udhëheqësi dhe kujtdo në botë që mbështet Ukrainën dhe qëndrimet tona parimore”, duke shtuar se pret një rezultat që do të hapë rrugën për një paqe të qëndrueshme.
Ekspertët theksojnë se çdo marrëveshje do të ketë nevojë për bekimin e presidentit Trump, për shkak të garancive të sigurisë që kërkohen për funksionimin e saj. Për momentin, bota po pret të shohë se çfarë përparimi do të sjellin bisedimet në Gjenevë.
Bisedimet në Gjenevë për marrëveshjen e paqes, Rubio: Ishte takim produktiv!
