Von der Leyen: Rusia të ndalojë agresionin, Ukraina të mos çarmatoset

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi sot se aleatët evropianë të Ukrainës kanë rënë dakord për parimet kryesore që duhet të përbëjnë bazën e çdo plani paqeje.
Sipas von der Leyenit, çdo plan paqeje i besueshëm dhe i qëndrueshëm për Ukrainën “duhet së pari dhe së mbi të gjitha të ndalojë vrasjet dhe të vërë një pikë të fundit në luftë, pa mbjellë farat e një konflikti të ardhshëm”.
Ajo shtoi se elementi i parë kryesor i një plani të tillë duhet të jetë i pamundur ndryshimi i kufijve me forcë.
“Së dyti, si shtet sovran, Ukraina nuk mund të ketë kufizime në forcat e saj të armatosura që do ta linin vendin të ndjeshëm ndaj sulmeve të ardhshme dhe do të minonin sigurinë evropiane”, tha presidentja e Komisionit Evropian.
Sipas parimit të tretë të përmendur nga von der Leyen, “roli qendror i Bashkimit Evropian në sigurimin e paqes në Ukrainë duhet të reflektohet plotësisht”.
“Ukraina duhet të ketë lirinë dhe të drejtën sovrane për të zgjedhur fatin e saj. Ajo ka zgjedhur një të ardhme evropiane. Kjo fillon me rindërtimin e vendit, integrimin në tregun tonë të vetëm dhe bazën tonë industriale të mbrojtjes, dhe në fund me pranimin e saj në Bashkimin Evropian”, tha ajo.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian theksoi nevojën për “të kthyer çdo fëmijë ukrainas të rrëmbyer nga Rusia”.
Më parë u raportua se përfaqësuesit e shteteve kryesore evropiane do të takohen me homologët amerikanë në Gjenevë që të dielën, në mes të mosmarrëveshjeve me pjesë të “planit paqeje” të hartuar nga ekipi i Trump-it lidhur me luftën e Rusisë kundër Ukrainës.