Pas një dekade fitimesh marramendëse, bie perandoria e PPP-ve në Shqipëri, ja kush po pasurohet tani

Për më shumë se një dekadë, koncesionet dhe Partneritetet Publike-Private (PPP) u shndërruan në një nga aktivitetet më fitimprurëse të ekonomisë shqiptare.
Në shumë raste, marrëveshjet garantonin fitim pothuajse të sigurt për operatorët privatë, pasi rreziqet financiare mbeteshin mbi shtetin. Kjo qasje e bëri modelin shumë tërheqës për bizneset, duke krijuar një treg të veçantë për shërbime publike të kontraktuara në afatgjatë.
Por vite më vonë, bilanci është më i diskutueshëm. Hetimet e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) kanë zbuluar raste ku kompanitë kanë përfituar miliona euro nga buxheti i shtetit pa kryer shërbimet e kontraktuara, si në rastin e famshëm të inceneratorëve, që u kthye në simbol të abuzimit me fondet publike.
Falë sigurisë së lartë dhe marzhit të garantuar të fitimit, PPP-të dhe koncesionet u bënë për shumë kohë një model biznesi i privilegjuar, ku rreziku ishte minimal, ndërsa norma e kthimit tejkalonte sektorët e tjerë të ekonomisë.
Megjithatë, me kalimin e viteve, u bë e qartë se një pjesë e këtyre projekteve nuk i shërbyen realisht interesit publik.
Në disa fusha, si menaxhimi i mbetjeve dhe shëndetësia, kontratat po hetohen për parregullsi në mënyrën si janë dhënë, zbatuar apo financuar.
Pas më shumë se dhjetë vitesh dominim në renditjen e sektorëve me kthimet më të larta, viti 2022 shënoi kthesën e parë të dukshme.
Të dhënat financiare tregojnë se normat e fitimit për shumë koncesionarë nisën të bien, ndërsa tendenca ka vijuar edhe gjatë viteve 2023 dhe 2024.
Ndërkohë, disa kontrata koncesionare kanë përfunduar, por në disa raste, vendin e tyre e kanë zënë ndërmarrje shtetërore, të cilat po regjistrojnë gjithashtu norma të larta fitimi, duke treguar se përfitimi financiar nuk është zhdukur, por është zhvendosur.
Megjithatë, disa kontrata të tjera që ndodhen ende në fuqi vazhdojnë të gjenerojnë kthime të konsiderueshme, duke mbetur ndër aktivitetet më fitimprurëse në treg, pavarësisht kritikave për mungesën e transparencës dhe eficiencës ekonomike.
Gjatë vitit 2024 përfunduan dy koncesione.
Kontrata e koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues, dhe shoqërive “Sicpa Security Solutions S.A.” e “Sicpa Security Solutions Albania sh.p.k.”, për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave përfundoi në datën 31 dhjetor 2024, pasi ishte zgjatur edhe me dy vjet në janar 2023.
Të ardhurat e kompanisë ishin 863 milionë lekë në vitin 2024, ndërsa u raportuan humbje prej 6 milionë lekësh. Nga janari 2025, prodhimi dhe shpërndarja e pullave kryhet nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë.
Një tjetër koncesion që ka përfunduar është ai i markimit të karburanteve që po zbatohej nga “GFI Albania”. Kontrata, që fillimisht ishte 10-vjeçare përfundoi më 1 gusht 2024, pasi u shty dhe me një vit. Shoqëria nuk ka dorëzuar bilanc për vitin 2024, ndërkohë që ka mbyllur adresat dytësore.
Më 31 korrik 2023 përfundoi dhe kontrata me “Aleat”, që kishte me koncesion prodhimin e dokumenteve të qytetarëve shqiptarë.
Pas përfundimit të periudhës së koncesionit, Shoqëria i ka kaluar Autoritetit zotërimin e vendndodhjeve të koncesionit dhe mjediset e koncesionit dhe të gjitha asetet e projektuara dhe të përdorura gjatë periudhës së koncesionit.
Gjatë operimit të tij, “Aleat” ka realizuar norma të larta fitimi.
P.sh., në vitin 2022, i fundit i operimit si i plotë, “Aleat” regjistroi të ardhura prej 5.5 miliardë lekësh dhe fitime 1.7 miliardë lekë, me normë fitimi prej 31%.
Në vitin 2021, që është dhe viti me rezultatin më të lartë, të ardhurat ishin 6.5 miliardë lekë dhe fitimi 2.6 miliardë lekë, me një normë prej rreth 40%, që gjithsesi mbetet pak më e ulët se ajo e operatorit shtetëror.
“Aleat” realizoi një qarkullim vjetor prej mbi 404 milionë eurosh xhiro dhe rreth 110 milionë euro fitime neto gjatë një dekade operimi, sipas të dhënave nga bilancet.
Kompania shtetërore, që kryen tashmë shërbimin e dokumenteve të identitetit, “Identitek”, ka hyrë në listën e “Monitor 200”, duke raportuar të ardhura prej 3.7 miliardë lekësh, në dyfishim nga viti i mëparshëm.
Edhe fitimet e kompanisë u dyfishuan në 1.6 miliardë lekë. Norma e fitimit ishte 44%.
Shtetasit shqiptarë kanë ndërkohë kostot më të larta në rajon për marrjen e pasaportave dhe kartave të identitetit. Në Shqipëri, për të marrë një pasaportë biometrike, duhen paguar 7500 lekë, ose rreth 75 euro.
Me afat të përshpejtuar, për 2-3 ditë, tarifa rritet në 18 mijë lekë (rreth 180 euro).
Në Kosovë, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, tarifa për pasaportë biometrike është 30 euro për personat mbi 18 vjeç dhe 15 euro për pensionistët.
Për procedurë të përshpejtuar (brenda 72 orëve) shtohen edhe 5 euro. Për fëmijët, kostoja është 20 euro (për 5 vjet).
Në Mal të Zi, pasaporta normale biometrike kushton 40 euro. Në Maqedoninë e Veriut, kostoja është rreth 40 euro. Edhe në Serbi e Mal të Zi, tarifa nuk i kalon 40 euro.
Në BE, tarifat për pasaportë biometrike luhaten zakonisht në 30–40 euro në vendet e Europës Lindore / Qendrore (p.sh. Bullgaria, Hungaria, Kroacia) dhe 60–90 euro në vendet e Europës Perëndimore (p.sh. Franca rreth 86 euro, Gjermania rreth 70 euro, Italia rreth 73 euro).
“Tirana International Airport” (TIA), që menaxhon aktivitetin e Aeroportit të Rinasit, është një ndër koncesionet më fitimprurëse. Kompania raportoi fitime prej 4.4 miliardë lekësh, ndërsa norma e kthimit ishte rreth 40%.
Sipërmarrje të hapura që nga fillimi i viteve 2000 raportojnë norma të larta fitimi.
P.sh., “Regjistri i Barrëve Siguruese”, një kontratë koncesionare e vitit 2009 për veprimtarinë e mbajtjes, ruajtjes, kryerjes së të gjitha veprimeve në lidhje me Regjistrin e Barrëve Siguruese, është aktiviteti me normën më të lartë të kthimit në këtë segment.
Në vitin 2024, kompania raportoi fitime prej 210 milionë lekësh, me normë fitimi 64.4%, pothuajse njësoj me vitin e mëparshëm.
“La Petrolifera Italo Albanese”, që ka me koncesion portin e hidrokarbureve në Vlorë, ka dalë që në vitin 2022 nga renditja e “Monitor 200”. Në vitin 2024, kompania raportoi të ardhura prej 391 milionë lekësh, me rritje 26%.
Kompania deklaroi fitime minimale prej 22 milionë lekësh, pas humbjeve prej 66 milionë lekësh në vitin 2023.
“S2 Albania”, e cila zbaton marrëveshjen e koncesionit të skanimit, raportoi 183 milionë lekë fitime në vitin 2023, me rënie 28% me bazë vjetore. Norma e fitimit ishte 12%. Për vitin 2024, kompania nuk ka dorëzuar ende bilanc.
Shoqëria koncesionare “Porti MBM”, që ka me koncesion portin e hidrokarbureve në Porto Romano, realizoi fitime prej rreth 500 milionë lekësh në vitin 2024, sipas të dhënave paraprake nga Tatimet (kompania nuk ka dorëzuar bilanc).
Norma e fitimit ishte rreth 40%.
Koncesionarët PPP, tani fiton vetëm inceneratori dhe “check up”
Pas vitit 2013, koncesionet u dhanë në formën e Partneritetit Publik-Privat (PPP), nëpërmjet së cilës, kompania private ofronte shërbimin dhe paguhej sipas një plani vjetor nga buxheti i shtetit, në ndryshim nga koncesionet e para në vitin 2013, kur subjekti privat merrte shërbim ekskluziv, por nuk kishte pagesa direkte nga buxheti.
Sipas Ministrisë së Financave, në vitin 2024, rezultojnë 10 kontrata koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore.
Pagesat faktike për vitin 2024, në total arritën në 13.3 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 5%, duke shënuar nivelin më të lartë historik që prej vitit 2017, kur ka filluar raportimi./Monitor