Iftaret e Ramës, në një libër nga vetë ai

Kryeministri Rama ka paralajmëruar tjetër libër, jo në formën e një manifesti politik, siç “Kurban”-i 2011-ës, por si manifestim gjuhësor, prej raportit të tij të ngushtë me shqipen. Dhe aty, siç tha ai në podcast-in e fundjavës, do jenë fjalimet që mban në iftaret që shtron prej vitesh.
“Unë nuk kam mundësi të rri të ulem të shkruaj siç kam shkruar ‘Kurban’-in. Më pëlqen shumë që të shkruaj copëza, që lidhen me punën, fjalimet. Po përgatis tani një libër me fjalët e sofrës së iftarit, thjesht për kënaqësinë e shqipes, jo për ndonjë arsye tjetër dhe për natyrisht dëshirën që t’i shoh në një libër disa gjëra që i kam shkruar me shumë dëshirë”, tha ai.
Po aty, në podcast, ai bëri dhe një rrëfim mbi veten, duke aluduar në gabimin e publikut në perceptimin ndaj tij, duke e gjykuar në distancë.
“Unë vuaj nga pakënaqësia. Ata që më njohin nga afër e dinë shumë mirë këtë gjë, ata që më shikojnë nga larg nuk e besojnë këtë që them. Me aq sa kam arritur të kuptoj është që në distancë, perceptimi që krijoj është shumë i ndryshëm nga ai që jam në të vërtetë.
Nëse në distancë mund të dukem si një njeri që i di të gjitha, në fakt vuaj nga pakënaqësia, jam i pakënaqur me çdo gjë që bëj. Nuk them që po, këtu jam happy, sepse nëse do të ketë një gjë që do të jem i kënaqur pa kushte, besoj do të arrij ta shoh momentin e hyrjes në BE”.
Rama e ka shndërruar në kauzë anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke e zëvëndësuar kësisoj me Rilindjen, rilindjen e pretenduar apo të synuar të një vendi me mbrapshti historike, e lidhur kjo jo dommosdoshmërisht me BE-në, jemi apo jo anëtarë të saj. /tesheshi.com/