Në një bisedë për identitetin dhe krenarinë kombëtare, deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, solli një këndvështrim të fortë mbi mënyrën se si shqiptarët e perceptojnë historinë e tyre.
Duke theksuar se “jemi një komb që nuk ka dëmtuar të tjerët, por i ka dhënë botës shumë më tepër sesa ne vetë vlerësojmë”, Bido nënvizoi se figura të rëndësishme historike, madje edhe ato me ndikim botëror, shpesh nuk lidhen siç duhet me rrënjët e tyre ilire.
Në studio ai solli shembuj konkretë, nga debati për Shën Sofinë deri te faktet e panjohura për himnin kombëtar, duke rikthyer vëmendjen te nevoja për të “bërtitur” më fort atë çka i përket kulturës dhe historisë shqiptare.
Ardit Bido: Ndjehem mirë se jemi shqiptarë. Si një komb i cili nuk ka dëmtuar të tjerët, si një komb i cili i ka dhënë historisë botërore shumë më shumë se sa i japim ne vlerë. Kemi personazhe të cilët kanë ndërtuar epoka.
Rudina Magjistari: Pra ne nuk dimë që të vlerësojmë gjërat tona dhe ti marketojmë ashtu siç duhet.
Ardit Bido: Po patjetër. Më habit sa herë vjen debati herë pas here për Shën Sofinë që Stamboll dhe është një debat turko-grek. Ndërkohë që nëse do të ishte Shën Konstadini i një kombësie tjetër do të dihej dhe do të ishte pjesë e këtij debati. I ka rastisur “fati i keq” që të jetë Ilir, pjesë paraardhëse e kombit tonë dhe kjo nuk njihet.
Rudina Magjistari: Ka pretendues të tjerë për origjinën e tij?
Ardit Bido: Jo nuk ka!
Rudina Magjistari: Pra është i yni dhe thjesht nuk flitet.
Ardit Bido: Nuk e bërtasim. Dhe kjo na dëmton edhe kur vjen fjala se çfarë vlerësohet e të qenit shqiptar. Ne kemi vuajtur një imazh shumë të keq jashtë vendit, duke e kufizuar këtë krenarinë kombëtare. Ndërkaq ne i kemi dhënë botës histori magjepsëse. Një nga elementet që mua më pëlqen të bëj, është që kudo ku shkoj të gjej elemente të historisë. Përshembull në Bukuresht himni ynë kombëtar është kënduar në një kishë të vogël në qendër të Bukureshtit.
“Jemi një komb që i ka dhënë historisë botërore”, deputeti i PS: Nuk dimë të vlerësojmë gjërat tona
