VIDEO-GJKKO lë në fuqi vendimin pezullim nga detyra për Ballukun, dy vartësit e saj mbeten në “arrest shtëpie”

Pas më shumë se 5 orë, kanë dalë nga ambientet e GJKKO-së, zv/kryeministrja Belinda Balluku dhe 2 vartësit e saj Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.
Balluku ka dalë e para nga ambientet e gjykatës ku nuk ka dhënë asnjë deklaratë për mediat dhe më pas dolën dhe 2 vartësit e saj, të cilët ishin në seancë për tu njohur me akuzat dhe masat e sigurisë.
Trupa gjykuese e Gjykatës së Posaçme ka vendosur të lërë në fuqi dy masat e sigurisë ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku: “pezullim i ushtrimit të detyrës dhe funksionit” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” në kuadër të hetimeve për shkelje të barazisë në tenderë.
Balluku u paraqit në GJKKO rreth orës 09:00 të së shtunës, ku qëndroi për rreth 45 minuta. Seanca u ndërpre për 2 orë pasi mbrojtja kërkoi kohë të njihet me dosjen.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK më datë 31 tetor komunikoi zyrtarisht se ka ngritur akuzë ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
GJKKO ka lënë në fuqi masat e sigurisë  “arrest shtëpie” për Gentian Gjylin dhe Erald Elezin.