“Ministri ka imunitet si deputeti”/ Analisti: Pezullimi i Ballukut nga GJKKO kërkon interpretim nga Kushtetuesja

Në emisionin “3D” të Alban Dudushit, në RTSH 1 HD, u trajtua çështja e pezullimit nga GJKKO e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, reagimet e kryeministrit Edi Rama dhe dërgimi i vendimit në Gjykatën Kushtetuese. 
Analisti,  Neritan Alibali, në ndërhyrjen e tij, u fokusua tek aspekti juridik i çështjes, duke theksuar se ministri gëzon të njëjtin imunitet si deputeti. 
Alibali argumentoi se vendimi i GJKKO-së ka hapur një debat të ri mbi kufijtë e kompetencave të gjykatave dhe raportin e tyre me imunitetin e funksionarëve të lartë. 
Sipas tij, interpretimi përfundimtar i kësaj situate duhet t’i takojë Gjykatës Kushtetuese, e cila ka rolin e qartë për të përcaktuar balancën mes pushteteve dhe respektimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. 
“Një gjykatë nuk mund ta pezullojë vetëm ministrin që ka të njëjtin imunitet me deputetin, sepse nuk e ka këtë target. Dhe pikërisht për këtë kërkohet ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese për ta sqaruar dhe interpretuar këtë rast.”