Breshkat e ujit janë gjithmonë në lëvizje. Ato migrojnë mijëra kilometra gjatë jetës së tyre dhe orientohen sipas fushës magnetike të Tokës, të cilën e perceptojnë përmes dy mënyrave të ndryshme. Në fakt, këto breshka e shohin fushën magnetike dhe e ndiejnë atë, pra kanë si një busull, ashtu edhe një hartë për udhëtimet e tyre. Por për vite me radhë, shkencëtarët nuk arrinin të shpjegonin se si funksiononte saktësisht kjo aftësi e dytë.
Studiuesit më në fund kanë gjetur një përgjigje, duke hetuar mënyrën se si breshkat ndjekin fushën magnetike, në një studim të botuar në Journal of Experimental Biology. Pas testimit të aftësisë së tyre për ta ndierë fushën magnetike, dhe pasi i mësuan breshkat e vogla ta tregonin këtë ndjesi përmes një vallëzimi të lezetshëm, studiuesit zbuluan se “ndjesia e hartës magnetike” te breshkat e ujit mund të funksionojë falë copëzave të vogla të magnetitit të vendosura në trupin e tyre.
Ky kërkim është po aq i ëmbël sa është edhe i rëndësishëm shkencërisht. Sipas autorëve të studimit, rezultatet përbëjnë një hap të madh përpara në kuptimin e këtyre breshkave dhe të mënyrës se si ato gjejnë rrugën duke përdorur fushën magnetike të Tokës.
Migrimi i breshkave dhe fusha magnetike e Tokës
Migrimet e breshkave të ujit janë epike, duke përshkuar mijëra kilometra oqeani të hapur. Edhe pse udhëtimi është i vështirë, breshkat janë të pajisura mirë, pasi lindin me një sistem të brendshëm orientimi të bazuar te fusha magnetike e Tokës.
Në mënyrë të habitshme, ato përdorin dy lloje ndjesish për t’u orientuar: në njërën mënyrë, ato “e shohin” fushën magnetike, falë molekulave të ndjeshme ndaj dritës që aktivizohen nga fusha; në mënyrën tjetër, ato e “ndiejnë” fushën magnetike, një proces që shkencëtarët për shumë kohë nuk arritën ta shpjegonin plotësisht.
Për të mësuar më shumë, ekipi trajnoi tetë breshka të sapodala nga veza që të sinjalizonin, përmes një kërcimi të gëzueshëm, kur ndienin fushën magnetike në një vend të caktuar pranë ishujve Turks e Caicos. (Ata trajnuan edhe tetë breshka të tjera që ta sinjalizonin fushën magnetike për zonën rreth Haitit.) Më pas, pasi i ekspozuan breshkat ndaj impulseve të forta magnetike, studiuesit vëzhguan sjelljen e tyre për të parë nëse do të tregonin praninë e fushës përmes rrotullimeve të tyre.
Sipas studiuesve, nëse breshkat nuk vallëzojnë, kjo mund të tregojë se ato e ndiejnë fushën magnetike përmes copëzave të magnetitit në trup, të cilat mund të dëmtohen nga impulset e forta. Nëse ato do të vazhdonin të kërcejnë, mund të nënkuptonte se përdorin një mekanizëm tjetër. Rezultatet treguan se pas ekspozimit ndaj impulseve magnetike, breshkat vallëzuan më pak, duke sugjeruar se “harta” e tyre magnetike varet nga këto grimca magnetiti.
Sekreti i këtij zbulimi qëndron te mënyra se si breshkat e sinjalizuan ndjesinë, dhe gjithçka lidhet me dashurinë e tyre për ushqim.
“Ato motivohen shumë nga ushqimi dhe vallëzojnë me dëshirë kur mendojnë se do të ushqehen,” thotë Alayna Mackiewicz, autore e studimit dhe studente në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill.
Në të vërtetë, breshkat e porsalindura të ujit rrotullohen kur presin ushqim. Duke i mësuar ato, për dy muaj, ta lidhnin ndjesinë e fushës magnetike me ushqimin, studiuesit arritën t’i bëjnë ato të “tregonin” kur e perceptonin fushën.
“Është shumë argëtuese, por merr shumë kohë,” shpjegon Mackiewicz. Sipas ekipit, breshkat përdorin të dyja ndjesitë magnetike për t’u orientuar, duke e parë dhe duke e ndierë fushën magnetike. Një ndjesi funksionon si busull, duke u treguar drejtimin e udhëtimit, ndërsa tjetra funksionon si hartë, duke u treguar pozicionin. Rezultatet tregojnë se kjo e dyta është veçanërisht thelbësore për navigimin e tyre, dhe tani kuptohet më mirë falë vallëzimit rrotullues të breshkave. / Discover Magazine – Syri.net
