Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia e paraburgimit ku ndodhet prej 21 tetorit 2024, për 22 Nëntorin, “Ditnë e Alfabetit”.
Teksa uron me një postim në rrjetin social Facebook ditën e shënuar të gjuhës shqipe, ai i shpreh mirënjohjen “Rilindasve të vërtetë” që në Kongresin e Manastirit vendosën gurin themeltar duke njehsuar alfabetin shqip dhe hapur rrugën drejt Pavarësisë.
“Gjuha është themeli i çdo kombi, ndaj mbrojtja dhe kultivimi i saj është mbrojtje e vetë identitetit tonë kombëtar”, shprehet mes të tjerash ish-kreu i shtetit.
Postimi i Ilir Metës në Facebook:
“Gëzuar Ditën e Alfabetit të gjuhës sonë të bukur, të shkruar me gërma gjaku dhe sakrifica nga patriotët e kombit.
Nderim dhe mirënjohje Rilindasve të vërtetë, të cilët në Kongresin e Manastirit, vendosën gurin themeltar të bashkimit tonë kulturor duke njehsuar Alfabetin shqip dhe duke hapur rrugën drejt Pavarësisë.
Gjuha është themeli i çdo kombi, ndaj mbrojtja dhe kultivimi i saj është mbrojtje e vetë identitetit tonë kombëtar.
Lavdi të përjetshme Kongresit të Manastirit që i dha jetë Alfabetit tonë dhe përjetësoi gjuhën shqipe”.
