Përmbytje në bregun e Matës/ Banorët denoncojnë…

Situata në zonën e Bregut të Matës vazhdon të jetë shqetësuese pas përmbytjeve të shkaktuara nga prurjet e mëdha të ujit. Edhe pse argjinatura është mbyllur, niveli i ujit mbetet i lartë, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha toke në fshatrat Barbullojë dhe Mylte.
Banorët që jetojnë në zonë janë të izoluar dhe kërkojnë ndihmë urgjente për ushqim për bagëtitë, pasi stoku i tyre po mbaron dhe furnizimi është i pamundur për shkak të ujërave të larta.
Sipas tyre, përmbytjet përkeqësohen edhe për shkak të hidrovorëve të bllokuar nga grumbullimi i peshkut, që dyshohet se shkaktohet nga disa biznese lokale. Ky fenomen vonon shkarkimin normal të ujërave dhe rrit rrezikun e përmbytjeve gjatë reshjeve intensive.
Një nga banorët tha:
“Prej 4 ditësh jemi në ujë. Niveli i ujit është mbi 70 cm. Bagëtitë po mbarojnë. Bllokojnë tubat e hidrovorit për peshk dhe uji kthehet mbrapsht. Përmbytja bëhet për shkak të bizneseve që pengojnë rrjedhën e ujit.”
Strukturat vendore dhe forcat e ushtrisë po punojnë për ngritjen e argjinaturës dhe monitorimin e situatës, ndërsa banorët presin ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur humbje të mëtejshme në bujqësi dhe blegtori.