Në emisionin politik “3D” të Alban Dudushit, i transmetuar në Radio Televizionin Shqiptar, u diskutua pezullimi nga GJKKO i zëvendëskryeministres Belinda Balluku, reagimet e kryeministrit Edi Rama dhe dërgimi i vendimit në Gjykatën Kushtetuese. Tema e debatit “Balluku – Përplasja e pushteteve” solli në panel Enkelejd Alibeajn, Arbër Hoxhajn, Neritan Alibalin dhe Zylyftar Bregun.
Analisti Neritan Alibali në analizën e tij theksoi se duhet bërë dallimi mes pezullimit nga detyra dhe ndjekjes penale.
“Kushdo për të cilin Prokuroria e Posaçme ka dyshim të arsyeshëm për korrupsion, krim të organizuar apo abuzime të tjera, më pas shpallet nga gjykata i fajshëm ose i pafajshëm. Në rastin konkret shqetësimi im nuk është thjesht çështja në fjalë, por nëse në aspektin kushtetues a mundet që një nga tre pushtetet, sikurse është ai i drejtësisë, të sfidojë dy pushtetet e tjera, sikurse janë ai legjislativ dhe ekzekutiv.”
Alibali nënvizoi se edhe pse ministri nuk është i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, pozita e tij lidhet ngushtë me ekzekutivin dhe legjislativin.
Për këtë arsye, sipas tij, vendimi i GJKKO për pezullimin e një ministri ngre dilema kushtetuese mbi balancën e pushteteve dhe kërkon interpretim të qartë nga Gjykata Kushtetuese.
“Pushteti gjyqësor nuk duhet të sfidojë ekzekutivin dhe legjislativin”/ Analisti: Balanca kushtetuese duhet respektuar
