Një pjesë e arkitekturës dhe urbanizimit të një periudhe zhvillimi të Kosovës në ekspozitën “Modernizmi kosovar një abetare e arkitekturës”. Ekspozita e autorëve Ilir Gjinolli e Lulzim Kabashi këto ditë nëntori u çel në Tiranë. Veprimtaria u mbajt më 20 nëntor në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare IFAU 2025- Forumi Ndërkombëtar i Arkitekturës dhe Urbanizimit: “Fuqi, hapësirë dhe kulturë: Dialogu bashkëkohor në arkitekturë, urbanizëm dhe trashëgimi” me organizimin e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, Universiteti Politeknik i Tiranës, dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, gjegjësisht Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike e Komisioni i Inxhinierisë. Ekspozita “Modernizmi kosovar një abetare e arkitekturës ” u hap në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës dhe ajo paraqet një pjesë të arkitekturës dhe urbanizimit të një periudhe zhvillimi të Kosovës, në një kontekst më të gjerë rajonal në ish-Jugosllavi.
Për Kosovën, periudha e të ashtuquajturit “modernizëm socialist” në ish-Jugosllavi, jo vetëm që ka qenë një transformim në aspektin e zhvillimit të arkitekturës dhe qytetit, por shënon fillimet e profesionit arkitektonik dhe urban në një mënyrë të organizuar dhe të udhëhequr, duke përfshirë edukimin e arkitektëve në shkollat e ndryshme arkitekturore në ish-Jugosllavi dhe themelimin e shkollës së arkitekturës në Kosovë në fund të shekullit XX. Arkitektura e kësaj periudhe nuk është vlerësuar siç duhet dhe shpesh nënvlerësohet, megjithëse për Kosovën, por edhe për rajonin, ajo paraqet një shtresëzim të rëndësishëm kulturor, në një periudhë shumë të rëndësishme të zhvillimit shoqëror, pavarësisht se shumica e arkitektëve nuk janë nga Kosova.
“Modernizmi kosovar një abetare e arkitekturës” në Tiranë, një ekspozitë autorëve Ilir Gjinolli e Lulzim Kabashi
