Dokumentari “117” i vitit 1976  me regji nga Besim Sataçiu do të shfaqet në Arkivin e Filmit

Filmi dokumentar “117” realizim i vitit 1976, dokumenton jetën rurale midis shqiptarëve të Kosovës. Filmi me regji të Besim Sahatçiut dhe fotografi të Afrim Spahiut shfaqet më 26 nëntor pasdite në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në Tiranë. Dokumentari “117” i xhiruar në fshatin kosovar Nevokaze, siç është bërë me dije më parë, i vlerësuar nga kritika si “portret shpirtëror i kombit” ai shënoi pikën kthesë në kinemanë dokumentare kosovare, duke futur vlera të larta estetike të papara ndonjëherë në historinë e filmit kosovar. Filmi që do të shfaqet në Arkivin e Filmit është në vijim dhe të aktiviteteve të Javës së Kulturës Kombëtare, që nisi më datë 21 nëntor dhe vijon deri më 5 dhjetor.  Regjisori, Besim Sahatçiu, u lind më 2 tetor 1935, në Pejë, ai ndërroi jetë në vitin 2005. Shkollën fillore dhe të mesmen, Sahatçiu i kreu në qytetin ku u lind.
Më tej ndoqi dy vjet letërsi botërore në Universitetin e Beogradit. Pas ndërprerjes së studimeve, për shkak të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, punoi katër vjet si përkthyes në “Rilindje”. Më pas u regjistrua në degën e regjisurës pranë Akademisë së Teatrit e të Filmit në Zagreb. Besim Sataçiu (gjyshi i këngëtares Rita Ora) ishte një personalitet me influencë në shoqërinë shqiptare.  Sahatçiu ka qenë regjisor i filmave, regjisor i teatrit, regjisor i dhjetëra emisioneve televizive dhe laureat i çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Në Tiranë më parë janë shfaqur dhe të tjerë filma, që janë realizuar prej tij. Një vit më parë në muajin nëntor, “Era dhe lisi” filmi i regjisorit të njohur nga Kosova, Besim Sahatçiu u shfaq në Tiranë. “Era dhe Lisi” (1979) me regji të Besim Sahatçiut është i njohur për temën e guximshme, që trajton në lidhje me sfidën sociale në Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore e gjer në mesin e viteve të 60-ta, përmes metaforave stilistike që e kryqëzojnë gjuhën poetike me atë të dokumentarit. Filmi, realizim i vitit 1979 u shfaq vjet në nëntor në kinemanë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në Tiranë.