Nga Julia Vrapi
Zbatimi i së drejtës së autorit ka sjellë herë pas here reagimin e krijuesve të ndryshëm të muzikës, ndërsa kritikat kanë vijuar edhe në drejtim të institucioneve në vend. Ndërkohë që dhe agjencitë, që merrem me të drejtën e autorit janë përballur me kritika nga krijuesit. Kompozitori Osman Mula “Mjeshtër i Madh”, i cili ka reaguar dhe më parë për problemet me të cilat përballen krijuesit, sërish sjell në vëmendje probleme, që sipas tij përballen autorët e muzikës. Osman Mula është nga regjisorët më të njohur në RTSH, drejtues i festivaleve, emisioneve të muzikës, saksofonist i talentuar dhe kompozitor i vlerësuar me çmime ndër vite, por sipas tij e drejta autorit vazhdon të jetë problem për krijuesit e muzikës. “Në asnjë vend të botës nuk shkelet me këmbë artisti anti konformist si në Shqipëri. Nuk mund të thuash në përgjithësi artistët se një pjesë janë më të poshtër dhe hajdut se hajdutët. Këto vjedhin shokët, e kthehen në lëtyra.
Por punë e madhe thonë: A ja arrita qëllimit? Qeveria më dha, bashkia po. Në tre borde, jam e ç’dua më shumë? Kujt i duhet karakteri sot?! Thonë ato”, shprehet kompozitori Osman Mula në një reagim të tij, të ndarë dhe në rrjete sociale. Osman Mula është një nga emrat e njohur të muzikës shqiptare dhe një nga artistët, që herë pas here ka reaguar për problemet e ndryshme në fushën e artit dhe kulturës në vend, duke kërkuar dhe më shumë vlerësim për artistët. Por sa i takon problemeve me të drejtën e autori, ndër të tjera kompozitori Osman Mula shtron dhe pyetjen, se ku shkojnë të ardhurat. “Po ku shkojnë të ardhurat e të drejtës autorit ? Po kur organizoni projekte koncertesh dhe përdorni këngët tona përse nuk paguhemi ?”, shprehet kompozitori Osman Mula.
Materialet në arkiv
Osman Mula “Mjeshtër i Madh” një nga regjisorët më të njohur në RTSH, drejtues i festivaleve, emisioneve të muzikës, kompozitor me çmime ndër vite e sheh shqetësuese mënyrën se si po përdoren sot këngët e tij. Por në reagimin e tij ndër të tjera, ai sjell në vëmendje dhe problemet me materialet në arkiv. “E telendisët dhe i shpartalluat këngët e mia si Alo Alo, E doni dashurinë, Shikomë në sy, Pranverë e vonuar, etj, dhe nuk marrim asgjë. Po mirë, po me materialet e humorit, ku unë kam qenë regjisor i koncertit të Vitit të Ri, si Kunati i shokut Xhemal. Kryp- kryp, sheqer- sheqer, e në pambarim materiale që kam luajt me jetën time dhe të familjes për ti transmetuar, kush i merr nga arshiva ato materiale?
Kush ja mundëson? Këto persona duhet të kalojnë për proces siç kalojnë dhe ato që vjedhin. Mirëpo këta që vjedhin, mbajnë në shtëpi nga një flamur për zgjedhje dhe ndonjë pemë për mbledhje na marrin dhe pensione të veçanta. Na dalin drejtora spektaklesh, të kudo ndodhur, të përkëdhelur”, shprehet kompozitorit Osman Mula në reagimin e tij. Kompozitori Osman Mula edhe më parë në reagimet e tij ka sjellë në vëmendje shqetësimin e krijuesve. Ai thotë se çdo artist e ka të shtrenjtë të drejtën e autorit në krijimtari. “I falenderoj miqtë e mi, kolegët e nderuar që morën iniciativë me Gjergjin në krye për të vendosur një herë e mirë atë që çdo artist në botë e ka më të shtrenjtë, të drejtën e autorit. Kur e fiton lekun me djersë nuk ke nevojë të bëhesh lëpirës!”, shprehet kompozitori Osman Mula. Reagimin e tij për të drejtën e autorit kompozitori Osman Mula e ka ndarë edhe në rrjete sociale, ku dhe të tjerë krijues kanë shprehur probleme me zbatimin e saj. Krijues të ndryshëm të muzikës flasin për respektimin e ligjit, por kjo gjë ka sjellë dhe më parë diskutime. Edhe dëgjesa publike më parë nga Ministria e Kulturës për ndryshimet në ligjin për të drejtën e autorit riktheu debatet për zbatimin e tij.
Osman Mula: Në asnjë vend të botes nuk shkelet me këmbë artisti antikonformist si në Shqipëri
