“Shqiptarët po shënjestrohen për qëllime politike”, Rama replikon sërish me sekretaren e brendshme të Britanisë

Kryeministri Rama e ka vijuar edhe këtë të premte debatin me sekretaren e brendshme britanike. Sipas Ramës po shënjestrohet një komunitet si 700 familjet shqiptare që kërkohen të riatdhesohen nga Mbretëria e Bashkuar vetëm për përfitime politike të brendshme.
“Për të justifikuar një valë të re kthimesh familjare, 700 familje në një vend me 67 milionë banorë është një pëshpërim statistikore e fryrë me një sirenë politike.E solla këtu këtë situatë jo për t’u ankuar, jo për të dramatizuar e jo më për ta ngatërruar BE me të divorcuarën aq të hidhur, por pikërisht sepse është ky lloj refleksi politik që Europa duhet t’i rezistojë nëse do t’i mbetet besnike vetes dhe t’ia dalë në një botë që po ndryshon në mënyrë dramatike. Kur një ministër europian, edhe pas Brexit, që edhe mund ta kuptojmë se ka trauma atje, zgjedh të veçojë një bashkësi të vogël për të fituar politikë, ka diçka shumë të rëndësishme: frika flet më fort sesa faktet. Stereotipet udhëtojnë ende më shpejt sesa e vërteta dhe demagogjia ende vijon të gjejë audiencë të madhe.“
Rama përshëndeti studentët e Kolegjit të Europës dhe ka mirëpritur brezin e dytë të studentëve në dyert e tij. Ai foli gjatë për të gjitha pengesat dhe sfidat që vende kandidate si Shqipëria janë përballur drejt rrugës së anëtarësimit, por e gjitha kjo nuk e zbeh sipas tij vendosmërinë për t’u bërë pjesë e kësaj familje, duke rreshtuar arsyet.
Europa nuk është një vend, Europa është një vendim për të zgjedhur bashkëpunimin përballë përplasjes. Ligjin përballë forcës, dialogun përballë britmave. Të vërtetën në vend të stereotipeve.
Në vitin e dytë Kolegji i Europës në Tiranë ka pranuar 40 studentë me 24 kombësi të ndryshme, ku vetëm 1/4 janë nga Ballkani, të tjerët nga vendet e BE.