Pirro Vengu nga Gjirokastra: Toka është si sfungjer, rreziku s’ka kaluar!

Rreziku nga reshjet e shumta të shiut dhe prurjet e lumenjve vijon të mbetet i lartë edhe mbrëmjen e kësaj të premteje, më 21 nëntor. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i pranishëm në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile në rang prefekture, deklaroi se të gjitha forcat dhe strukturat e pushtetit vendor janë në gatishmëri dhe po punojnë për menaxhimin e situatës.
Vengu theksoi se lajmi i mirë është që nuk ka humbje jete, ndërsa vijojnë kërkimet për një grua 76-vjeçare të zhdukur në Korçë.
“E kemi marrë si informacion dhe kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit. Bëhet fjalë për një person në moshë, me problematika të shëndetit mendor. Nuk dihen arsyet e zhdukjes së saj dhe do të jenë operacionet e kërkim-shpëtimit dhe hetimet që do të tregojnë se çfarë ka ndodhur. Ajo që mund t’ju them është se sapo kemi mbyllur Komitetin e Emergjencave Civile për qarkun e Gjirokastrës, me të gjithë aparatin qendror e vendor.”, u shpreh Vengu.
Situata në terren
Lidhur me urën e Glinës në Dropull, Ministri Vengu bëri me dije se është mundësuar kalimi për banorët nëpërmjet një rruge alternative dytësore.
“Kemi bërë edhe një dislokim forcash, përfshirë edhe forcat e armatosura. Dhe reparti i Gërhotit po funksionon si bazë mbështetëse për Emergjencat Civile për bashkitë e qarkut: Gjirokastër, Delvinë e Sarandë. Po bëhen rehabilitime në nivelin e Qukës në mënyrë që të kufizohen pasojat e përmbytjes masive të orëve të para të mëngjesit.”, vazhdoi ai.
Vengu shtoi gjithashtu se janë marrë të gjitha masat që qytetarët, në rast nevoje, të furnizohen me medikamente, ushqime dhe ndihmë financiare për dëmet e shkaktuara nga moti i keq.
Ministri bëri me dije se Gjirokastra, Delvina dhe Saranda kanë pësuar prurje dhe reshje masive gjatë 48 orëve të fundit, duke shkaktuar rrëshqitje dherash në rrugët dytësore dhe fshatra.
“Toka është si sfungjer dhe rrezikon rrëshqitje edhe në vijim. Nuk jemi jashtë rrezikut dhe duhet të shpërndajmë të gjitha forcat,” tha Vengu.
Forcat e armatosura dhe reparti i Gërhotit po funksionojnë si bazë mbështetëse për Emergjencat Civile për bashkitë e qarkut, ndërsa po kryhen punime rehabilituese në Qukë për të kufizuar pasojat e përmbytjeve.
Urat e dëmtuara dhe rrugët alternative
Ura e Glinës dhe ura e Isues, midis Libohovës dhe Dropullit, kanë pësuar dëmtime. Për urën e Glinës është gjetur një aksesi alternativ nga Nepravishta, ndërsa për Isues do të bëhet një investim rehabilitues.
“Emergjencat Civile janë struktura edhe vendore edhe qendrore. Kanë qenë në dispozicion edhe në terren për më shumë se 48 orë. Ajo që ndodhi në nivelin e Qukës në Sarandë ka të bëjë me një shembje dhe një rrëshqitje masive. Toka është si sfungjer sepse ka tre ditë që bie shi. Po verifikojmë edhe njëherë elementët e digave dhe urave, pasi kemi pasur situata ku këmbë urash janë shembur. Po mundohemi të gjejmë rrugë alternative deri sa të kemi rehabilitim të plotë të infrastrukturës. Kemi informuar popullin për motin e keq dhe kemi identifikuar elementët e basenit të Vjosës për problematikat që ndodhën. Ura e Glinës dhe ura e Isues, midis Libohovës dhe Dropullit, janë dëmtuar. Për Glinën është gjetur aksesi alternativ nga mbrapa, nga Nepravishta. Për pjesën e Isues duhet të bëjmë një investim rehabilitues, pasi është një dëmtim domethënës.”, tha ministri.
Vengu bëri me dije se janë marrë masat për mbështetje ushqimore, materiale dhe financiare për banorët e zonës. Ai e përfundoi fjalën duke thënë: “Situata është e vështirë, por ne po punojmë intensivisht për të menaxhuar pasojat dhe për të siguruar jetën dhe pasuritë e qytetarëve.”