“Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe” në 1972,  tubim shkencor gjithëkombëtar i mbajtur në Tiranë  

Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe u mbajt në Tiranë nga 20 nëntor deri më 25 nëntor të vitit 1972. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë shprehet se “Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe” ishte një ngjarje me rëndësi të shumanshme mbarëkombëtare. IGJL sjell në vëmendje dhe një material përgatitur nga prof. dr. Emil Lafe, marrë nga Fjalori Enciklopedik Shqiptar , Tiranë 2008. “Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972). Tubim shkencor gjithëkombëtar i mbajtur në Tiranë nga 20-25 nëntor 1972. U thirr për të nxjerrë përfundimet e diskutimit të gjerë për drejtshkrimin, që kishte filluar më 1967, pas botimit të “Rregullave të drejtshkrimit të shqipes” (projekt), për të caktuar parimet dhe vijat themelore të hartimit të drejtshkrimit në trajtë përfundimtare, si edhe për të vendosur për një varg çështjesh të tjera, të përgjithshme e të veçanta, të drejtshkrimit e të gjuhës letrare kombëtare në tërësi.
Në Kongres morën pjesë 87 delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, nga Kosova, nga Shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në Maqedoni e në Mal të Zi dhe nga Arbëreshët e Italisë. Ndërmjet tyre kishte studiues dhe pedagogë të gjuhës shqipe, mësues, shkrimtarë, publicistë, botues, veteranë të arsimit dhe të kulturës e të tjerë”, thuhet në materialin e prof. dr. Lafes. Në kongres, vijon materiali i prof. dr. Emil Lafes u mbajtën një referat qendror me temën “Gjuha letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj” (Androkli Kostallari) dhe mbi 150 kumtesa e referime shkencore (gjithë materialet e Kongresit janë botuar në dy vëllime: “Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe” I, II, Tiranë, 1973). “Kongresi bëri bilancin e gjithë punës së mëparshme për njësimin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe.
Pas diskutimeve të gjera në seanca plenare dhe në dy seksione ai miratoi njëzëri “Rezolutën”, që është një sintezë e mendimit dhe e vullnetit të përbashkët të njerëzve të shkencës, të shkollës dhe të kulturës shqiptare. Duke bërë përgjithësimin shkencor të analizës së strukturës dhe të veçorive funksionale të gjuhës së sotme letrare shqipe, rezoluta pohoi për herë të parë se “populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar”. Kongresi shënoi fillimin e periudhës së një gjuhe letrare të vetme të njësuar, e cila u mbështet edhe me vendimin e posaçëm të Këshillit të Ministrave “Mbi masat për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar të gjuhës shqipe” (nr. 50, dt. 08.03.1974)”, thuhet në materialin e prof. dr. Emil Lafes. Ndër të tjera në material prof. dr. Lafe thotë se Kongresi i Drejtshkrimit pati jehonë të gjerë në jetën shoqërore e kulturore të vendit. Një ditë më parë edhe Muzeu Historik Kombëtar kujtoi këtë tubim shkencor, i cili u kthye në një nga ngjarjet më të rëndësishme mbarëkombëtare.