Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama se është bërë avokat i një zyrtari që është në hetim nga SPAK për abuzim me tenderat publikë.
Nga selia e PD, nënkryetari i PD Gazment Bardhi deklaroi se kryeministri Edi Rama nuk e shkarkon dot numrin 2 të qeverisë, Belinda Balluku, pasi ai është përgjegjës për tunelin e Llogarasë.
“Kompaninë fituese të tunelit të Llogarasë e paracaktoi Edi Rama. Dhe siç ndodhen mesazhet e Belindës për zbatimin e një urdhri të kundërligjshëm të shefit të saj, ashtu ndodhen edhe mesazhet e Edi Ramës në telefonin e Belinda Ballukut”, tha Gazment Bardhi.
Sipas Bardhit, vendimi i kryeministrit për të mos shkarkuar Belinda Ballukun tregon se çfarë i mban bashkë dy figurat më të larta të ekzekutivit.
“Vendimi i Edi Ramës për të mos shkarkuar Belinda Ballukun është çmimi që shqiptarët po i paguajnë një kryeministri që prej datës 31 tetor nuk e ka më veten në dorë. Por sot, Edi Rama konfirmoi me zë dhe me figurë se është një kukull e Belinda Ballukut. E pandehur nga SPAK, deri tani për dy tendera që së bashku shkojnë në 210 milionë euro”, u shpreh Bardhi.
Bardhi replikoi në distancë edhe me komisioneren e Zgjerimit dhe vlerësimin e saj për zgjedhjet e 11 majit.
“Shqiptarët presin që në deklaratat e saj të përcjellë standardet europiane dhe jo të justifikohet korrupsioni i Ramës. Është një deklaratë që turpëron këdo”, deklaroi Bardhi.
Nënkryetari i PD Bardhi ftoi qytetarët t’i bashkohen protestës së opozitës.
PD: Pas “tunelit” fshihet Rama! Bardhi: Nuk e shkarkon dot Ballukun, pasi janë bashkë në aferën e Llogarasë
