‘Bomba’ e SPAK për Ballukun/ Ish-ministri i PD shpërthen: Pse hesht PS, pse nuk e përjashtojnë nga grupi dhe partia

Ish-ministri dhe ish-deputeti i partisë Demokratike, Genc Pollo, ka reaguar në lidhje me çështjen e zv/kryeministres Belinda Balluku, që është marrë e pandehur nga SPAK dhe i është vendosur aktualisht masa e sigurisë pezullim nga detyra, bllokim pasaporte dhe ndalim për të dalë jashtë shtetit.
Ish-ligjvënësi ngre disa pyetje, drejtuar kryesisht Partisë Socialiste, deputetëve dhe kryetarit të saj, duke i vendosur përpara përgjegjësisë morale dhe qytetare.
Teksa vë në dukje se “në PS askush nuk po flet, as deputetët më të virtytshëm”, Pollo nënvizon se as sqarime nuk po i kërkohen Ballukut dhe as po përjashtohet nga grupi parlamentar, siç është vepruar në raste të tjera.
“Pse nuk flet askush në PS, përfshi edhe deputetët “e virtytshëm”, për bëmat e dosjes të cilat janë interes publik e jo vetëm objekt penal? Pse nuk i kërkojnë sqarime publike ministres (paralel me mbrojtjen ligjore) për të “rivendosur besimin e tronditur” ? Pse nuk i kërkojnë dorëheqje siç lipset? Pse, në mungesë të këtyre hapave nga Balluku, nuk procedojnë me përjashtimin nga grupi parlamentar e nga partia?”, shprehet ai mes të tjerash.
Postimi i plotë i Genc Pollos:
“Ligjshmëria e vendimit të GjKKO që pezulloi Ballukun është një debat që largon vëmendjen nga çështjet e mëdha:
Pse nuk ka dhënë dorëheqjen Balluku këto tre javë mbasi është marrë e pandehur dhe kanë dalë lakrat sheshit (nga dosja hetimore)?
Pse nuk flet askush në PS, përfshi edhe deputetët “e virtytshëm”, për bëmat e dosjes të cilat janë interes publik e jo vetëm objekt penal? Pse nuk i kërkojnë sqarime publike ministres (paralel me mbrojtjen ligjore) për të “rivendosur besimin e tronditur” ? Pse nuk i kërkojnë dorëheqje siç lipset? Pse, në mungesë të këtyre hapave nga Balluku, nuk procedojnë me përjashtimin nga grupi parlamentar e nga partia?
Pse nuk i bën këto gjëra vetë kryetari i partisë e kryeministri Edi Rama. Kjo e fundit është pyetja strumbullar!”