Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, në një intervistë televizive ka ashpërsuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama pas skandalit që ka përfshirë ministren Belinda Balluku, duke deklaruar se në çdo vend demokratik një ngjarje e tillë do të sillte rrëzimin e qeverisë.
Sipas Palokës, dorëheqja e Ballukut nuk është gjë tjetër veçse një manovër për të larguar vëmendjen nga përgjegjësia e kryeministrit, i cili sipas tij, ka qenë në dijeni të plotë të aferave dhe vendimmarrjeve që kanë sjellë dëm financiar minimal prej 50 milionë eurosh. Ai e cilësoi gjithë situatën një “kamuflim politik” dhe theksoi se drejtësia nuk do të guxojë të shkojë deri te Rama, duke e quajtur kryeministrin “hakmarrës dhe frikacak”.
Edi Paloka: Absolutisht, nëse do ishim në një vend normal, në një vend sadopak demokratik, nuk po them demokratik, domethënë kjo do ishte një goditje fatale për qeverinë dhe normalisht, në çdo vend tjetër me një akt të tillë do kishte rënë qeveria. Kryeministri do duhej të jepte, pra duke i përjashtuar ato të parët, gjithë burgun që është mbushur me ministra të Ramës. Vetëm me këtë ngjarje, do duhej që Rama të jepte dorëheqje, jo Balluku.
Balluku duhet të shkonte, pas hekurave. Rama duhet të jepte dorëheqje, qeveria binte dhe ne të kalonim në zgjedhje, në një vend normal. Po ne nuk jemi vend normal. Ne jemi vend, edhe njëherë e përsëris, ku edhe drejtësia për fat të keq bën lojën e Ramës. Në këtë rast, cila është arsyeja që Rama kërkon të largojë Ballukun? Sepse nuk ka nga çfarë të tërheqi vëmendjen tjetër. Është menjëherë mbas fitores në thonjëza ku ka marrë 83 mandate dhe Ballukun e riemëroi si zëvendëskryeministre para pak muajsh. Sot plas ky skandal. Ju mendoni që Rama nuk i dinte të gjitha këto? Absolutisht i ka ditur të gjitha. Cila është arsyeja që po largon Ballukun?
Nuk mund ta them, po arsyeja mund të jetë dhe aq banale sa ne mos ta shkojmë ndërmend. Qoftë edhe ato sharjet e dala në përgjime apo ato talljet që bënte Balluku me vartësit e saj për Ramën, mund të jenë një shkak më se i mjaftueshëm për Ramën. Gjithë pjesa tjetër, domethënë me logjikë njerëzit normal thonë prit mo se ky si po dënon tash njeriun më të afërt të tij, njeriun që në fund fare ka bërë shumicën e allishverisheve, siç është vërtetuar dhe siç është, siç dihet botërisht tashmë. Qoftë edhe kjo e tunelit. Dihet shumë mirë që është Rama, nuk është Balluku ai që ka vendosur për këtë aferë.
Me Ramën ishin në Turqi, me Ramën vendosën se për çfarë interesash, ai Baton Haxhiu tha për interesa gjeopolitike, po kjo pak rëndësi ka për drejtësinë. Në fakt janë thjesht interesat e Edi Ramës. Edhe po të jetë se ai ka kryer një shërbim ndaj ndaj Erdoganit apo ndaj dikujt tjetër, është thjesht interesi i Ramës, asnjë interes tjetër. Nuk ka për shqiptarët. Po pavarësisht kësaj, për drejtësinë nuk ka rëndësi fare, cilat kanë qenë arsyet. Fakti që ka një korrupsion me minimalen e 50 milionë euro dëm, e mbyll këtë histori. Pra kjo është një histori e mbyllur. Çështja ngelet prapë do të dënohet, do hiqet një kokë turku si Belinda apo do të dali drejtësia tek Edi Rama? Dhe unë po jua them që sot që as nuk bëhet fjalë që kjo drejtësi të dali tek Edi Rama. Përkundrazi. Pjesa tjetër është e gjitha kamuflim. Pse? Sepse duhet të njohësh Ramën se çfarë hakmarrësi i vogël është dhe çfarë frikacaku është për të kuptuar gjithë këtë që po ndodh.
“Qeveria duhet të binte sot”, Paloka shpërthen: Balluku duhet të ishte pas hekurave
