Komisioni i ri Rregullator në KQZ zhvilloi sot mbledhjen e tij të parë pas rifreskimit. 3 anëtarë u rikonfirmuan (kryetarja Ilirjana Nano-PS, Helga Vukaj-PD dhe Dritan Çaka-PS) ndërsa dy anëtarë të rinj të kësaj trupe, nuk ishin aspak të rinj për institucionin.
PS riktheu Bledar Skënderin, i cili më herët ka qenë anëtar i KQZ-së, ndërsa PD risolli Arben Ristanin, i cili dikur ka qenë kryetar i KQZ-së, dhe vitet e fundit ushtroi edhe mandatin e deputetit.
Sot, Komisioni Rregullator në seancë publike certifikoi rezultatin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie, të zhvilluara në datën 9 Nëntor 2025.
Pas përfundimit të afateve ankimore, Rregullatori shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar në bashkitë Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.
Rikthehen në KQZ Arben Ristani dhe Bledar Skënderi, certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 9 nëntorit
