Nga Julia Vrapi
“Det i thellë blu” këtë nëntor premierë në skenën teatrore. Vepra e autorit Terence Rattigan vjen në skenë premierë me regji nga Rovena Lule. Një dramë mbi dashurinë dhe humbjen, që sjell në skenë aktorë të njohur të teatrit. Shfaqja teatrore këtë nëntor është për tre mbrëmje me radhë në skenë për publikun, ndërsa është në vijim të premierave këtë sezon artistik që po vijon me shfaqje në skenë. Ester, gruaja e një gjyqtari të respektuar, braktis gjithçka për dashurinë e një piloti të ri. Por pasioni i saj kthehet në dëshpërim dhe e çon drejt një përplasjeje mes jetës, dashurisë dhe vetvetes. “Det i thellë blu” është një nga veprat më të fuqishme të dramaturgut britanik Terence Rattigan, një histori emocionale që zhytet në thellësitë e shpirtit njerëzor. Në skenën tonë teatrore vepra “Det i thellë blu” një dramë rrënqethëse mbi dashurinë dhe humbjen, vjen me regji nga Rovena Lule, që është dhe një nga zërat më të veçantë të regjisë bashkëkohore shqiptare.
Në jetën artistike Rovena Lule Kukën e kemi parë edhe me role të ndryshme si aktore, ndërsa këtë herë në teatër nën drejtimin e saj si regjisore aktorët do të interpretojnë në “Det i thellë blu”. Në dramën që shënon premierën në skenën e Teatrit Kombëtar te salla “ArTurbina” në Tiranë janë aktorët Olta Daku, Alfred Trebicka, Igli Zarka, Neritan Liçaj, Anila Bisha, Donald Shehu, Niada Saliasi dhe Florian Agalliu. “Mos e humbisni këtë dramë që të mban pezull mes pasionit dhe dhimbjes”, thuhet nga teatri për këtë dramë që do të jetë në skenën për publikun në mbrëmjet e datave 28, 29 dhe 30 nëntor.
Përkthyes i veprës Durim Taçi, kostumografe Berina kokona, skenografia Genc Shkodrani dhe muzika në shfaqje nga kompozitori Endri Sina. Terence Rattigan është një nga emrat e rëndësishëm të dramaturgjisë britanike. I njohur për mjeshtërinë e tij në krijimin e dramave psikologjike, të provokuara nga konfliktet e brendshme dhe emocionet e pathëna, Rattigan ndërtoi një stil unik, që vazhdon të ndikojë teatrin kontemporan në mbarë botën. Ndër dramat e tij më të njohura përmendim: The Deep Blue Sea; The Winslow Boy; Separate Tables; The Browning Version; After the Dance.
Premierat në sezonin artistik të teatrit
Sezoni i ri artistik sjell në skenën e Teatrit Kombëtar shfaqje të ndryshme. Drama dhe komedi janë në kalendarin artistik të Teatrit Kombëtar , ku në vijim të shfaqjeve teatrore që janë produksion i këtij institucioni do të jetë edhe shfaqja “Det i thellë blu”. Këtë sezon në skenën e Teatrit Kombëtar janë në program dhe vepra të Shekspirit. Komedia “Si ta doni” e Shekspirit me regji nga Jonh Blondell ishte premiera e parë këtë sezon artistik në skenën e teatrit. Sezoni i ri artistik do të sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTuribna” në Tiranë edhe një dramë mbi tragjedinë naziste. “Drejtësi në Nuremberg” shkruar nga Abby Mann është një dramë mbi tragjedinë naziste dhe përgjegjësinë morale të individit, që do të jetë premierë dhe si pjesë e sezonit të ri artistik 2025-2026 të Teatrit Kombëtar.
“Det i thellë blu” premierë këtë nëntor në skenën e Teatrit Kombëtar, një dramë mbi dashurinë dhe humbjen
