Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Vitit Akademik 2025/2026 të Kolegjit të Europës, ku mbajti një fjalë të fokusuar te e ardhmja e Bashkimit Europian dhe procesi i zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se ribashkimi është forca që ka shëruar Evropën që prej fillimit të projektit europian. Ai solli shembujt historikë të pajtimit franko–gjerman dhe ribashkimit të Gjermanisë, duke theksuar se këto momente ishin “shërim për Europën dhe motorë paqeje”.
Sipas tij, çdo zgjerim i BE-së ka sjellë jo thjesht rritje gjeografike, por zgjerim të hapësirës së paqes, duke bërë që konfliktet mes shteteve dikur kundërshtare të bëhen “thuajse të paimagjinueshme”.
“Ribashkimi përmbush premtimin e Europës,” u shpreh Rama, duke kujtuar angazhimin e Selanikut të vitit 2003 për integrimin e Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri nënvizoi se vendet e reja anëtare nuk janë barrë për BE-në, por “motorë të pashfrytëzuar energjie dhe rinie”, duke bërë paralele me valët e mëparshme të zgjerimit që transformuan unionin.
Rama paralajmëroi se një Europë e përçarë është më e cenueshme:
“Ribashkimi mbron Europën nga vetja. Një Europë e përçarë është më e lehtë për t’u manipuluar; një Europë e bashkuar është e pamposhtur.”
Ai iu përgjigj skeptikëve që vënë në dyshim aftësinë funksionale të BE-së me më shumë vende anëtare, duke theksuar se sfida duhet të nxisë reflektim dhe jo stepje:
“Ka nga ata që pyesin si mund të kalojmë në 29 apo 35 anëtarë kur mezi funksionojmë me 27. Argumenti i tyre është i kuptueshëm. Por pikërisht për këtë, duhet të lëmë egot dhe të mendojmë si europianë për një Europë të përbashkët.”
Në mbyllje, Rama deklaroi se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kërkojnë privilegje, por mundësinë “t’i shërbejnë Europës që Europa të vazhdojë t’i shërbejë paqes.”
Një Europë e përçarë është e manipulueshme’, Rama kërkon ribashkim të plotë të BE-së
