Nuk vonoi shumë/ Pas fjalimit mbrojtës nga Rama, Kryeministria çon çështjen e Belinda Ballukut në Kushtetuese

Nuk vonoi shumë! Pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama sot se çështjen e pezullimit nga GJKKO të zëvëndëskryeministres Belinda Balluku do të apelohej në Gjykatën Kushtetuese, vjen dhe veprimi nga Kryeministria.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se Kryeministria ka çuar çështjen në Kushtetuese, duke kundërshtuar kështu vendimin e Gjykatës së Posaçme.
Atë që kreu i qeverisë e tha në konferencë e konkretizoi me dokument zyrtar, duke kërkuar që vendimi i pezullimit të numrit dy të qeverisë të cilësohet si antikushtetues.
Në konferencën që kryeministri zhvilloi me komisioneren Marta Kos deklaroi se pezullimi nga detyra i Belinda Ballukut eshte nje vendim arbitrar.
Sipas kreut të qeverisë me kete vendim të GJKKO, është cënuar pavarësia e pushtetit ekzekutiv, duke marrë kompetencat e një kryeministri, të presidentit dhe të parlamentit.
Balluku po hetohet për tenderin e tunelit të Llogarasë si dhe për lotin nr.4 të Unazës së Madhe, ndërsa akuzohet për shkelje të barazisë në tendera. Kujtojmë se dje GJKKO caktoi masat ‘arrest shtëpie’ për dy zyrtarë, bashkëpunëtorë të ngushtë të Ballukut, Gentian Gjyli, kreu i ARRSH dhe administratori i KESH-it, Erald Elezi.