Janë vënë në pranga nga policia e Tiranës dy shtetas kinezë pasi i morën një shtetasi shqiptar, nëpërmjet mashtrimit, kriptomonedhat nga llogaria kriptofinanciare, dhe nuk i dhanë vlerën e tyre 10 000 euro.
Në kuadër të operacionit të koduar “Scam platform”, është arrestuar shtetasit kinezë, X. Zh., 20 vjeç dhe X. Zh., 58 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Ndërkohë, janë proceduar penalisht mbi dyshime se janë përfshirë ilegalisht, në administrim dhe këmbim kriptomonedhash shtetasit A. S., 30 vjeç, J. Sh., 30 vjeç dhe A. Zh., 25 vjeç, të tre banues në Tiranë.
“Nga hetimet dyshohet se 2 shtetasit kinezë i kanë dhënë në ambientet e një lokali, 10 000 euro, shtetasit A. S., në këmbim të kriptomonedhave që ka patur ky i fundit, në llogarinë e tij kriptofinanciare. 2 të arrestuarit i kanë transferuar kriptomonedhat, në llogarinë e bashkëpunëtorit të tyre, në Hong Kong, por e kanë mashtruar 30-vjeçarin se transaksioni nuk ishte kryer dhe për këtë arsye ia kanë rimarrë 10 000 eurot. Bashkëpunëtori i 2 shtetasve kinezë është identifikuar, por për shkak të hetimit ende në vijim, nuk bëhen të njohura gjenealitetet e tij”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sakaq, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 10 000 euro që kishin siguruar 2 të arrestuarit, për të mashtruar shtetasin shqiptar, që të bënte transaksionin, si dhe 5 celularë.
Ndërkohë, punohet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/ I morën shqiptarit kriptomonedhat me vlerë 10 mijë euro, në pranga 2 kinezë
