Mbi 700 pula kanë ngordhur në fermën e Pirg të Bashkisë Maliq, këtë të premte, si pasojë e vërshimit të ujit. Në një prononcim, pronari i fermës, Artan Zhiva, ka deklaruar se si përmbytjet dhe vërshimi i ujit brenda fermës së tij, çoi në ngordhjen e 700 zogjëve dhe e pulave.
“Vërshimi i ujit shkaktoi dëme të mëdha për shkak të një kanali pranë fermës, i cili nuk është pastruar prej tre vitesh. Për pasojë, zogjtë dhe pulat nuk kanë mundur të shpëtojnë nga uji”, është shprehur ai.
Pronari i fermës gjithashtu vlerëson dëmin ekonomik, ku sipas tij i kalon 10 milionë lekë, dhe kërkon nga shteti që të ndërmerren masat për dëmshpërblim, pasi kjo situatë nuk ka ardhur si pasojë e një fatkeqësie natyrore, por për shkak të neglizhencës së bashkisë për pastrimin e kanalit.
Ndërkohë, banorët e zonës thonë se në rrugë ndodhet i parkuar edhe një mjet fadromë, i cili nuk punon. Ata u shprehen se fadroma kishte mungesë nafte dhe prej disa ditësh qëndronte e parkuar në mes të rrugës pa kryer asnjë punë.
“Dua dëmshpërblim”/ Përmbytet ferma në Maliq, pronari: Më janë mbytur 700 pula, bashkia neglizhon pastrimin e kanalit
