Prokuroria e Posaçme (SPAK) vë në lëvizje Kuvendin e Shqipërisë dhe kërkon t’i vihen disa shkresa me karakter shtetëror që lidhen me ngjarjet e dhunshme të 21 janarit 2011. Rezulton se shkresa ka mbërritur ditën e djeshme në Kuvend dhe dokumentet që kërkohen nga prokurori i posaçëm Alfred Shehu konsiderohen sekret shtetëror. Bëhet fjalë për korrespondencën mes institucioneve të sigurisë dhe Kuvendit para, gjatë dhe pas protestës së 21 janarit. SPAK i konsideron këto dokumente thelbësore për hetimin. Kuvendi është vënë në dijeni se materialet duhet të ruhen në sekret të plotë për shkak të rëndësisë që paraqesin. Gjithashtu avokati i familjarëve të viktimave të 21 janarit është shprehur për gazetën “SOT” se pa thirrjen si dëshmitarë të tre figurave kyçe, Edi Rama, Ina Rama dhe Bamir Topi hetimi nuk mund të quhet i plotë. Mësohet se SPAK pritet t’i thërrasë në vijim për të dëshmuar.
Çfarë po ndodh me hetimet?
Së fundmi në Prokurorinë e Posaçme u paraqit Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Mësohet se prova e re e dorëzuar nga familja e Aleks Nikës për krimin shtetëror të 21 janarit, kaseta me regjistrimin audio të disa komunikimeve në radio të zinxhirit komandues të Gardës së Republikës, nuk është ekspertuar dot nga laboratorët në Shqipëri. Laboratorët nuk kanë mundësi teknike për të kryer një ekspertim të tillë, ndaj SPAK i është drejtuar laboratorëve të tjerë jashtë vendit. Prokuroria e Posaçme ka kërkuar nga familjarët e të ndjerit Aleks Nika që të tregojnë mënyrën se si është siguruar audio regjistrimi si dhe pajisjen origjinale me të cilën është bërë regjistrimi, pasi kaseta e dorëzuar në SPAK është kopjo. Në materialin audio dëgjohet Ndrea Prendi, komandanti i atëhershëm i gardës, që jep urdhër të hapet zjarr luftarak mbi protestuesit, pra jo më plumba manovër.
Audio regjistrimi që flitet se është 34 minuta është bërë nga një person që ka pasur akses në komunikimin e një kanali të konsideruar të sigurt që përdorej nga drejtues të lartë të Gardës, i cili ka regjistruar komandat dhe urdhrat e dhëna në momentet kur u vranë 4 protestuesit e paarmatosur para kryeministrisë të drejtuar nga Sali Berisha në atë kohë. Kujtojmë se në SPAK ka dëshmuar edhe Saimir Tahiri. Në kohën e protestës Tahiri ka pasur detyrën e deputetit të PS-së, ndërsa pas ardhjes së PS-së në qeveri u emërua në postin e ministrit të Brendshëm. Në prill 2015 Tahiri atëherë në postin e ministrit të Brendshëm bëri një kallëzim penal për Lulzim Bashën, pasardhësin e tij, ish ministër i Brendshëm në kohën e protestës për shpërdorim detyre duke e akuzuar se dha urdhër për hedhjen e lëndëve kimike mbi protestuesit.
Dëshmi ka dhënë dhe deputeti i PS-së, Xhemal Qefalia, si person që ka dijeni për ngjarje pasi ka qenë një nga organizatorët e protestës së 21 janarit 2011 para kryeministrisë ku mbetën të vrarë 4 protestues. Në kuadër të këtij hetimi janë marrë në pyetje dhe ish drejtori i Përgjithshëm i policisë së shtetit Hysni Burgaj dhe një ditë më pas dëshmoi edhe zëvendësi i tij Agron Kuliçaj. Të dy janë akuzuar për skandalin e zbatimit të urdhrave të arrestit të prokurorisë 18 ditë me vonesë, për Ndrea Prendin dhe 5 gardistët e tjerë, që dëmtoi rëndë hetimin. Po ashtu Prokuroria e Posaçme ka marrë në pyetje dhe dy vëllezërit e Hekuran Dedës, Agim dhe Zabit Deda.
Dosja “21 janari”
SPAK po heton ngjarjen që sistemi i vjetër e drejtësisë e gjykoi si “vrasje nga pakujdesia”. Insistimi i familjarëve të Aleks Nikës, viktima e vetme pa autor, bëri që dosja të rikthehej në vëmendje. Ishte Gjykata e Strasburgut që e cilësoi 21 Janarin krim shtetëror dhe në vazhdë të këtij vendimi, Gjykata e Lartë më 12 mars 2024 urdhëroi SPAK të nisë hetimet dhe të zbardhë përgjegjësitë e drejtuesve të lartë, përfshirë Berishën, Bashën dhe Ndrea Prendin, për vrasjen e katër protestuesve Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika. Fillimisht, Prokuroria e Tiranës çoi në gjyq vetëm ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, dhe ish-efektivin Agim Llupo, të dënuar respektivisht me 1 dhe 3 vite burg, të cilët prej kohësh janë të lirë. Më korrik 2024, SPAK regjistroi procedimin penal për tre akuza: “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”, të gjitha të kryera në bashkëpunim.
Zgjerohen hetimet e SPAK për “21 janarin”, Kuvendi detyrohet të dorëzojë dokumentet sekrete, pritet thirrja e të…
