Ja si Belinda Balluku nxirrte fituese në tendera kompanitë e lidhura me Sali Berishën, përgjimet e SPAK nxjerrin…

Përgjimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) kanë bërë atë që për vite me radhë dukej e pamundur. Kanë shkatërruar përfundimisht narrativën e armiqësisë mes Sali Berishës dhe Belinda Ballukut, duke zbuluar një realitet ku ministrja më e fuqishme e qeverisë së Edi Ramës tashmë e pandehur nga SPAK dhe lideri de facto i opozitës kanë vepruar në mënyrë të sinkronizuar për interesa financiare, klienteliste dhe politike që jo vetëm i bashkojnë, por i bëjnë pjesë të së njëjtës arkitekturë të pushtetit në Shqipëri. Që nga tenderat me fitues të paracaktuar, te kompanitë që qarkullojnë mes qeverive të majta dhe të djathta, tek koncesionet që kanë nxitur pasurimin e një grupi të caktuar oligarkësh, e deri tek protesta të organizuara në dukje nga opozita, por që në thelb janë ushqyer nga fondet që buronin nga institucionet e kontrolluara nga Balluku, gjithçka tregon se në Shqipëri nuk ka dy fronte politike të ndara, por një sistem të dyfishtë ku aktorët kryesorë bashkëpunojnë për të dobësuar rivalët dhe për të garantuar që pushteti, paratë dhe influenca të mos dalin kurrë jashtë një rrethi të ngushtë.
Tenderat
Pika më e qartë ku zbardhet ky bashkëpunim është tenderi i lotit të katërt të Unazës së Madhe. Tenderi u hap më 16 gusht 2021, fituesi u shpall më 6 tetor dhe kontrata u lidh më 21 nëntor. Bisedat e zv/kryeministres me vartësit e saj, të zbuluar nga SPAK njëjtë si me tenderin e Tunelit të Llogarasë nga dekriptimi i telefonave, tregojnë se fituesi ka qenë i paracaktuar. Tenderi është fituar nga një bashkim i tre 3 operatorëve, “Euroteorema Peqin” shpk – “Pe-Vla-Ku” sh.p.k – “Nova Construction 2012” shpk. Oferta e tyre ka qenë sa 95% e fondit limit të tenderit, pra e kanë fituar ndërtimin e lotit të katërt me 19.9 mln euro pa TVSH, ndërkohë që fondi limit ishte rreth 21 mln euro. Kompania Euroteorema rezulton se ka marrë shumë tendera edhe në kohën e qeverisjes së Berishës, kur merrte konsulenca juridike nga Argita Berisha, ndërsa “Nova Construction – 2012” shpk është në pronësi të Ilir Shtufit, i cili është ortak i një kuote në masën e 91% të vlerës së kapitalit të kësaj, i lidhur ngushtë me familjen Berisha.
Qëndrimi i opozitës
Reagimi i opozitës pas daljes së përgjimeve, dokumenteve dhe masave të marra nga SPAK ndaj Belinda Ballukut është gjithashtu një nga provat më të forta që tregon se PD e drejtuar nga Berisha nuk është në luftë me Ballukun, por është pjesë e të njëjtit plan të heshtur për të mbrojtur klientët dhe për të goditur rivalët e përbashkët. Në vend që të artikulohej një kërkesë e qartë për dorëheqje, një plan proteste, një fushatë me argumente dhe prova, Sali Berisha vazhdon me lojëra fjalësh  dhe akuzash.  Madje edhe ditën e djeshme kur drejtësia i dha një goditje të fortë Ballukut duke e pezulluar nga detyra dhe duke i bllokuar pasaportën, PD e ktheu çdo gjë në politikë. Opozita zgjodhi të mbulojë me trup Ballukun, duke akuzuar Edi Ramën se “po e sakrifikon kot”. Dhe nëse kthehemi pak pas në kohë, kontrasti është i fortë. Për Erion Veliajn, opozita qëndroi me muaj para Bashkisë, ndërsa te Ministria e Infrastrukturës nuk guxon të shkojë.
Kujtojmë se Veliaj la të kuptuar në letrën publike të disa javëve më parë se protestat para Bashkisë të udhëhequra në plan të parë në atë kohë nga Belind Këlliçi dhe Flamur Noka, janë koordinuar me qëllim, në të njëjtën kohë me hetimin që nisi ndaj tij SPAK. “A u hetua ndonjëherë dhuna 1-vjeçare, me molotovë e zjarr, përpara Bashkisë së Tiranës, e kryer nga individë të maskuar që, sipas raportimeve, transportoheshin nga rrethe të tjera? Kush e koordinoi dhunën që të përkonte me vetting-un tim të paligjshëm? Kush e financoi për 45 javë?”, pyet Veliaj. Kryebashkiaku nuk përmendi emër konkret, por akuza e bërë publikisht disa kohë më parë nga Arben Ahmetaj, një nga njerëzit më të rëndësishëm në PS drejtoi gishtin nga Belinda Balluku.
Nga arratia në Zvicër, ai tha se Balluku ka paguar njerëz të opozitës, pra Flamur Nokën dhe Belind Këlliçin për të protestuar kundër Veliajt. “Po, pooo. Njerëz të Ballukut kanë paguar njerëz për të shkuar në protestë”, tha Ahmetaj. Nga ana tjetër pika lidhëse e Berishës me Ballukun dyshohet se është dhe oligarku Bashkim Ulaj, fakte të cilat pritet të dalin dhe nga hetimet e drejtësisë. Berisha nuk e përmend askund se kush është përfituesi i koncesionit Thumanë-Kashar prej 1.3 miliardë euro, zhvatja më e madhe në xhepat e shqiptarëve me firmë po të Belinda Ballukut, që po hetohet nga SPAK. Kujtojmë se Ulaj u fry me para dhe pasuri publike duke u kthyer në oligark pikërisht nga pushteti i Sali Berishës.
Kreu i PD, gjatë pushtetit 2005-2013, ka përdorur qeverinë e tij dhe Parlamentin, duke kaluar në duart e Bashkim Ulajt për shfrytëzim privat pasuri natyrore publike (gurore, HEC-e në Valbonë, fibra optike etj) dhe dhjetëra miliona euro para publike. Ulaj ishte dhe mbetet një bankomat solid i Familjes Berisha. Ndoshta kjo mund të jetë edhe arsyeja se pse Edi Rama zgjodhi Ulajn ‘fitues’ të këtij koncesioni për të vazhduar pazaret e fshehta që kanë në prapaskenë, ku Rama qëndron në pushtet, ndërsa pasuria e Berishës shtohet. E themi këtë pasi, pallati në Rrugë Mustafa Matohiti ku banojnë sot Berishajt është ndërtuar nga Bashkim Ulaj.
Refuzimi i interpelancës
Blerja e opozitës nga Balluku u tregua dhe në një seancë të Kuvendit, ku kërkesa deputetit Agron Shehaj, i distancuar nga PD e Berishës për një interpelancë me Ballukun mbi koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar u refuzua jo vetëm nga mazhoranca, por edhe nga vetë opozita. Deputetët e Sali Berishës, Flamur Noka dhe Gazment Bardhi, në vend që të mbështesin zotin Shehaj në ngritjen e çështjes, u rreshtuan hapur kundër tij duke dalë kështu në mbrojtje të zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila ishte ndër të parat që mbështeti këtë kontratë. Kjo lëvizje, që për shumë u pa si mbrojtje ndaj Bashkim Ulajt, tregoi edhe një herë se interesat e mëdha financiare janë ato që drejtojnë fijet e politikës shqiptare.
Noka e shtyu Shehajn nga foltorja, duke tentuar t’i merrte telefonin, ndërsa Bardhi e akuzoi hapur si “zhele e Erjon Veliajt”. Ndërkohë në sfond dëgjoheshin socialistët që përqeshnin këtë shfaqje kaotike, duke përfituar nga përçarja e opozitës. Në një moment dramatik, Xhelal Mziu, një tjetër deputet i PD-së, e sulmoi Shehajn, duke e njomur me ujë, ndërsa garda e Kuvendit ndërhyri për ta larguar. Në përgjigje, Shehaj deklaroi: “Atë që nuk e bëri mazhoranca, e bëri një përfaqësues i opozitës.” Që Sali Berisha dhe opozita blihet shumë kollaj e tregon vetë përmbajtja e dosjes së Llogarasë, ku është implikuar vetë Balluku. Komunikimet përmes mesazheve telefonike ndërmjet Evis Berberit dhe Belinda Balluku, kanë zbuluar lidhjet e zëvendëskryeministres, dhe me deputetë të Partisë Demokratike, të cilëve ajo ua ka mbyllur gojën duke u afruar favore. Në këtë rast bëhet fjalë për Arbi Agalliun, i cili në tetor të vitit 2021 kishte akuzuar në sallën e parlamentit zonjën Balluku për lidhje direkte me turqit që fituan tenderin e Tunelit.